Gazeta Si – Yield-i i obligacioneve 15-vjeçare rezultoi në rënie me 0.04% në ankandin e dytë të zhvilluar, duke treguar interesin e lartë nga ofertuesit dhe likuiditetin.
Shuma e shpallur ishte 2 mld lekë, kërkesat e rritën në 3.4 mld lekë, ndërsa Ministria pranoi vetëm 2.3 mld lekë. Në ankandet e fundit të të gjitha titujve, janë pranuar shumat më të larta se ato të shpallura.
Obligacionet 15 vjeçare janë titujt e borxhit më afatgjatë të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Ankandi i nëntorit 2021 kishte qëllim testimin e tregut, që reagoi pozitivisht, duke bërë që Ministria e Financave të organizonte dhe një rihapje të këtij ankandi.
Ato janë një alternativë me shumë interes, sidomos për investitorët institucionalë që synojnë rritjen e kthimeve të portofolave afatgjata. Interesi i lartë lidhet dhe me normat e ulëta të interesit momentalisht, duke siguruar një kthim më tërheqës.
Në fund të tremujorit të tretë 2021, borxhi afatgjatë, me maturim mbi një vit, përbënte mbi 67% të stokut të borxhit të brendshëm, nga më pak se 49% që zinte në fund të vitit 2013. Mes instrumenteve afatgjata, vlerën më të lartë në strukturën e borxhit të brendshëm e kanë obligacionet 5 vjeçare, me 16.9% të totalit, të ndjekura nga obligacionet 10 vjeçare me 15.3%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




