Gazeta Si – Tre koronaviruse me një gjenom të ngjashëm me Sars-CoV-2, janë identifikuar te lakuriqët e natës në Laos, Vietnam, Azia Juglindore.
“Banal-103”, “Banal-236” dhe “Banal-52”, siç janë quajtur viruset, tregojnë ngjashmëri specifike në një domen kyç të proteinës “Spike”, që lejon virusin të lidhet me qelizat njerëzore. Studimi, nga Instituti Pasteur i Parisit, Universiteti Kombëtar i Laosit dhe Institut Pasteur i Laosit, është publikuar në revistën shkencore “Nature”.
“Zbulimi i tre viruseve mbështet teorinë se Sars-CoV-2 mund të vijë nga lakuriqët e natës që jetojnë në rrafshnaltat karstike të gadishullit Indokin, i cili shtrihet në Laos, Vietnam dhe Kinë”, – tha Marc Eloit nga Institut Pasteur në Paris.
Nuk dihet ende me siguri se cili rezervuar i kafshëve ose pritësi i ndërmjetëm i Sars-CoV-2 është, pavarësisht raporteve për viruse të ngjashme te lakuriqët dhe pangolinët aziatikë.
Rezultatet e studimit, shkruajnë autorët, megjithatë, tregojnë se viruset potencialisht infektive për njerëzit qarkullojnë midis “Rinolofi” (të ashtuquajturit lakuriqët e natës “patkua”) në Azinë Juglindore.
Deri më sot, gjenomi më i afërt me Sars-CoV-2, mbetet ai i identifikuar në një lakuriq nate “Rhinolophus affinis” në Kinë në vitin 2013 (virusi quhej RaTG13), me ngjashmëri 96,1% në të gjithë nivelin e gjenomit.
Por edhe në këtë rast, domeni lidhës i receptorit (RBD), ka një ngjashmëri të kufizuar me atë të Sars-CoV-2 dhe një afinitet të kufizuar me receptorin ACE2 të njeriut (enzima konvertuese e angiotenzinës 2).
Deri më tani, asnjë virus i lakuriqëve të natës, i ngjashëm me Sars-CoV-2, nuk është treguar të përdorë ACE2 për të hyrë në mënyrë efektive në qelizat njerëzore dhe asnjë nuk ka vendin e ndarjes së enzimës, një veçori që duket se lidhet me patogjenitet më të madh te njerëzit.
Sipas autorëve të studimit të ri, viruset me RBD, të aftë për t’u lidhur me receptorin ACE2, mund të jenë pikërisht ata të identifikuar te lakuriqët e natës që jetojnë në gadishullin Indokin.
Prandaj, ato mund të përfaqësojnë një rrezik të ardhshëm të transmetimit te njerëzit. Pavarësisht mungesës së vendit të prerjes së enzimës, koronaviruset e Laosit janë paraardhësit më të afërt të Sars-CoV-2 të njohur deri më sot.
Vetëm një ose dy aminoacide që ndërveprojnë me ACE2, modifikohen në këto shtama në lidhje me virusin përgjegjës për pandeminë.
Sipas autorëve, rezultatet e punës mbështesin hipotezën, se Sars-CoV-2 mund të rrjedhë fillimisht nga një rikombinim i sekuencave para-ekzistuese te lakuriqët e natës “Rhinolophus” që jetojnë në shpella në Azinë Juglindore dhe Kinën jugore.
Megjithatë, lidhja epidemiologjike midis viruseve të lakuriqëve të natës dhe rasteve të hershme njerëzore, mbetet e panjohur.
Për të përfunduar, autorët thonë se viruset e lakuriqëve të natës të analizuar, duket se kanë të njëjtin potencial për të infektuar njerëzit si shtamat e hershme Sars-CoV-2.
Anëtarët e komuniteteve fetare asketike që kalojnë kohë në shpella, si dhe turistët që i vizitojnë ato, janë në rrezik të veçantë për t’u infektuar, thonë shkencëtarët.
Nevojiten hetime të mëtejshme për të vlerësuar nëse këto popullata janë infektuar me një nga këto viruse dhe nëse infeksioni mund të sigurojë mbrojtje kundër Sars-CoV-2.
“Ky zbulim nuk u përgjigjet ende të gjitha pyetjeve të hapura, por forcon më tej hipotezën e origjinës natyrore të Sars-CoV-2, – komenton Antonella Viola, imunologe në Universitetin e Padovës, Itali – Megjithatë, në të njëjtën kohë konfirmon se shumë viruse të tjerë janë gati të bëjnë kapërcimin e specieve dhe të na infektojnë. Prandaj është e nevojshme jo vetëm të monitorojmë nga afër evolucionin e koronaviruseve për të shmangur infektimin të papërgatitur, por edhe për të kryer ato ndryshime strukturore në kujdesin tonë shëndetësor që do të na kishin lejuar të menaxhonim më mirë emergjencën. Duhet të nxjerrim mësime”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



