Art dhe Kulture

Ndahet nga jeta poeti i njohur, Bardhyl Londo

Xhaketa

ku mbështeti ajo kokën

u vjetërua.

Flokët që i krehu me krehërin e gishtave

një nga një mbi ballë m’u rralluan.

Vetëm zemra si zog

aq me vrull fluturoi drejt saj,

sa humbi rrugën e kthimit…”

Kjo është një ndër poezitë e poetit të njohur Bardhyl Londo, i cili mëngjesin e kësaj të premteje nuk e gjeti rrugën e kthimit në këtë botë, por ai do të mbetet përgjithmonë në historinë e letrave shqipe.

Pas një beteje me një sëmundje të rëndë, poeti u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare. Prej javësh ai ishte shtruar në një nga spitalet e Tiranës për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa miqtë luteshin për shëndetin e tij.

Ndërsa sot, miqtë dhe të afërmit ndërsa konfirmojnë lajmin e hidhur, shprehen se poezia shqipe priste libra të tjerë nga ai.

Bardhyl Londo i ka dhënë letërsisë shqipe mbi 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Ai është autor i shumë vargjeve për dashurinë, e kjo, ndoshta e bëri shumë shpejt një emër të dashur për lexuesin.

“Ne jemi si dy brigje të një lumi / përjetë përballë, përjetë të ndarë / natën ndërtojmë në ëndrra një urë / ditën mbetemi të huaj si më parë …”, një tjetër poezi e njohur e tij “Ura dhe brigjet”.

I lindur në Përmet në vitin 1948, ai do të zbulonte herët pasionin për letërsinë. Pas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Londo do të niste fillimisht të punonte si mësues në qytetin e lindjes, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, pranë redaksisë së gazetës “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA).

Që me botimin e librit të parë me poezi “Krisma dhe trëndafila” më 1975-n, Londo do të spikaste për ndjeshmërinë e vargut. Në vitin 1981 ai boton librin “Hapa në rrugë”, ndërsa tre vjet më vonë, “Emrin e ka dashuri”.

Në vitin 2013 ai befason lexuesin duke ardhur për herë të parë me një libër në gjininë e prozës. Që me titullin “Jeta që na dhanë”, romani dukej se paralajmëronte një lloj reflektimi të shkrimtarit mbi kohën ku jetoi. Një roman gati autobiografik, i cili sillte të gjitha shqetësimet e një shkrimtari mbi jetën në një sistem jo të lehtë siç ishte komunizmi, përpjekjet për të mbetur njeri.

Romani “Jeta që na dhanë”

Londo në këtë roman ka rrëfyer gjithçka i veshur me lëkurën e një personazhi tjetër, duke lënë dëshminë e tij për kohën.

Londo ishte nga ata intelektualë dhe njerëz të letrave që u angazhua edhe në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike.

Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Kulturës më 2021, ai fitoi vlerësimin për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë