Eksportet e mallrave e nisën pozitivisht vitin 2022.
Sipas të dhënave të INSTAT,në janar të këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 47.5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9.7 % në krahasim me dhjetorin e 2021-shit.

Kontributin kryesor në rritjen e eksporteve për muajin janar e ka dhënë grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji”, me pothuajse një të katërtën e shtesës së eksporteve krahasuar me një vit më parë.
Në vlerë, eksportet e këtij grupi arritën në 9.4 miliardë lekë, me një rritje prej 162% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky fakt tregon se rritja e lartë e vlerës eksporteve për muajin janar mund të jetë e lidhur me rritjen e çmimeve të produkteve energjetike dhe lëndëve të para, sidomos të naftës bruto.
Rritje të lartë të eksporteve shënoi edhe grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”, me 55% më shumë krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Edhe në këtë grup besohet se rritja e çmimeve ka dhënë një ndikim të konsiderueshëm.
Rritje me ritme të larta shënoi edhe grupi i produkteve ushqimore, me 28% më shumë se një vit më parë. Grupi “Tekstile dhe këpucë” regjistroi rritje të eksporteve me 8.2%, por ngelet ende grupi me peshën kryesore në eksporte, me afërsisht 29% të totalit.
Tregjet kryesore të eksporteve edhe për janarin ishin vendet e Bashkimit Europian, me 76% të vlerës totale të tyre. Italia ngelet partneri kryesor në eksporte, me 47% të totalit të tyre. Eksportet drejt Italisë për janarin u rritën me 38%. Rritje edhe më të lartë shënuan eksportet drejt Gjermanisë, që u zgjeruan me 3.4 herë krahasuar me një vit më parë dhe përbënin më shumë se 10% të eksporteve totale për janarin.
Edhe importet shënuan një rritje të ndjeshme, me 21% më shumë krahasuar me një vit më parë dhe prekën vlerën totale të 55 miliardë lekëve. Ndikimin kryesor në rritjen e importeve e dhanë grupet “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “Ushqime, pije, duhan”. Grupet me peshën kryesore në improte për janarin “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, me 19% të totalit, i ndjekur nga “Materiale ndërtimi e metale”, me 17%, Ushqime, pije, duhan, me 16.5% dhe “Minerale lëndë djegëse, energji” me 15%.

Edhe tek importet struktura e rritjes sipas grupmallrave dëshmon një ndikim të lartë të rritjes së çmimeve në vlerat e përgjithshme të këmbimeve tregtare.
Megjithatë, të paktën për janarin, rritja e eksporteve me ritme ndjeshëm më të larta se importet bëri që deficiti tregtar të ngushtohej.
Sipas INSTAT, deficiti preku vlerën e 20 miliardë lekëve, në rënie me 7.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Deri tani, efekti i rritjes së çmimeve në tregje për bilancin tregtar të Shqipërisë kishte qenë negativ. Për vitin 2021, deficiti tregtar u zgjerua me gati 30%, me një tendencë rritëse sidomos në muajt e fundit të vitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




