Instituti i Mirëqenies Globale, GWI, ka renditur Shqipërinë në vendin e 102-të në 150 vende sipas nivelit të mirëqenies ekonomike. Raporti tregon shifrat e vitit 2020, ku ekonomia e mirëqenies në vendin tonë zë 1.1 mld dollarë të tregut, me rënie nga viti 2019 me 0.1% mld, por me rritje renditjeje.
Sipas llogarive të GWI, kjo shifër ndahet në 371 dollarë për frymë.
Nga vendet e Rajonit, Shqipëria është e treta, pas Serbisë në vendin e 73-të me 2.8 mld dollarë, dhe Bosnjës me 1.3 mld dollarë. Shqipëria ka lënë pas Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Kosovën. Në Kosovë tregu i mirëqenies për vitin 2020 është vlerësuar në 0.4 mld $.
Raporti i Mirëqenies globale vlerëson dhe rendit ekonominë e mirëqenies në 150 vende të botës. Disa nga fushat kryesore ku bazohet ky raport janë kujdesi personal dhe bukuria; ushqimi i shëndetshëm, ushqyerja dhe humbja e peshës; aktiviteti fizik; mjekësia tradicionale dhe plotësuese; shëndeti publik si dhe fusha të tjera të cilat lidhen më shëndetin dhe mirëqenien në tërësi.
Instituti thekson se SHBA-ja deri në vitin 2020 kishte kapitalin më të madh me 12.000 mld dollarë, sa dyfishi i Kinës, me 683 mld dollarë. SHBA-ja mban 28% të të gjithë tregut të mirëqenies ekonomike në botë, ndërkohë që 71% ndahet midis 149 vendeve të tjera.
“Vendet e vogla që mbështeten në turizëm i kushtojnë më pak rëndësi mirëqenies dhe shpenzojnë më pak për të, ndërsa në vendet e pasura, 1 në çdo 20 dollarë të shpenzuar janë për mirëqenien”-thuhet në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.