Ministria ruse e Mbrojtjes dha shenja se tensioni në kufirin e Ukrainës po lehtësohet sepse trupat po ktheheshin në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjeve, megjithëse NATO paralajmëroi se nuk kishte parë shenja të një pranie të reduktuar ushtarake dhe se Moska kishte ende mjete për të ngritur një sulm.
Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, paralajmëroi se deri më tani nuk kishte parë “ndonjë shenjë lehtësimi” nga trupat ruse pranë Ukrainës.
Por ai tha në një konferencë për shtyp në Bruksel se kishte arsye për “optimizëm të kujdesshëm” duke pasur shenja nga Moska se Rusia dëshiron të vazhdojë me diplomacinë.
“Rusia ka ende kohë të tërhiqet nga kufiri”, tha ai.
NATO nuk kishte parë “asnjë shenjë të reduktimit të pranisë ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës”, theksoi ai. “Ajo që duhet të shohim është një tërheqje e konsiderueshme e forcave, trupave dhe e pajisjeve të rënda.
Komentet e tij erdhën pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se njësitë nga rrethet ushtarake në jug dhe perëndim të vendit po ktheheshin në bazë pas përfundimit të stërvitjeve.
Aksionet europiane dhe amerikane u rritën ndërsa çmimi i naftës ra pas deklaratës nga Rusia.
“Repartet e rretheve ushtarake jugore dhe perëndimore, të cilat kanë përfunduar detyrat e tyre, tashmë kanë filluar ngarkimin në transportin hekurudhor dhe rrugor dhe sot do të nisin lëvizjen në garnizonet e tyre ushtarake. Njësitë individuale do të marshojnë vetë si pjesë e kolonave ushtarake”, tha Igor Konashenkov, zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes.
Indeksi i aksioneve Stoxx 600 i Europës u rrit me 1.3%, nxitur nga një paralajmërim i SHBA-së se një pushtim rus i Ukrainës mund të jetë i pashmangshëm.
Pak më herët gjatë ditës, CNN publikoi disa video që tregojnë të kundërtën për një përparim drejt kufirit me Ukrainën, megjithëse ka shumë të tjera që nuk po vëzhgohen.
Ndërkohë që një ditë më parë, Scholz zhvilloi një takim me presidentin ukrainas
Volodimir Zelenskij, të cilit i theksoi mbështetjen e Gjermanisë dhe aleatëve në rast të një pushtimi të mundshëm nga fqinji i tij lindor.
Prej javësh, forcat ruse ndodhen pranë kufirit me Ukrainën, nga nëndetëset tek anijet në Detin e Zi, raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi, tanke e artilieri rreth skajeve verilindore të Ukrainës.
Rusia kishte pozicionuar rreth 130,000 trupa pranë kufirit të Ukrainës, duke përfshirë rreth 30,000 trupa që merrnin pjesë në stërvitjet ushtarake në Bjellorusi.
Burimi: FT/ Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




