Bota

Kremlini konfirmon tërheqjen e trupave në kufi, Ukraina kërkon prova të forta

Gazeta Si – Këtë të martë, Rusia ka njoftuar se do të fillojë tërheqjen e një pjese të trupave nga kufiri me Ukrainën, por Perëndimi  është skeptik për situatën e krijuar tashmë në kufirin me Ukrainën duke theksuar se ka nevojë për më shumë prova dhe besueshmëri nga Moska.

Menjëherë pas tërheqjes së një pjesë të trupave rusë, zëdhënësja e ministrisë se Jashtme të Rusisë ka akuzuar perëndimin se manipuluan me alarmin për një sulm të mundshëm rus mbi ish-republikën sovjetike

“Data 15 shkurtit 2022, do të hyjë në histori si dita e dështimit të propagandës së luftës nga Perëndimi. Turp për ju për këtë histori pa gjuajtur asnjë plumb”, – u shpreh zëdhënësja Maria Zakharova në Telegram.

Edhe Kremlini konfirmoi tërheqjen e disa forcave nga kufijtë e Ukrainës, por theksoi se Rusia do të vazhdojë të lëvizë trupat në të gjithë vendin siç e sheh të arsyeshme.

“Ne gjithmonë kemi thënë se pasi të përfundonin stërvitjet, trupat do të ktheheshin në bazat e tyre të përhershme. Nuk ka asgjë të re. Është një proces normal”, u tha gazetarëve zëdhënësi Dmitri Peskov.

Kremlini e konsideron vendimin e SHBA-ve për të evakuuar diplomatët e tyre nga Kievi si “një histeri ekzibicioniste dhe të pakuptimtë”, – vijoi Dmitry Peskov, i cituar nga Tass.

Kievi këkon prova të forta

Ndërsa Kievi zyrtar, nga ana tjetër tregohet skeptik dhe kërkon prova të forta të tërheqjes së trupave ushtarake ruse nga kufiri.

“Rusia vazhdimisht bën deklarata. Kjo është arsyeja pse ne kemi një rregull që të mos besojmë deklaratat kur i dëgjojmë, por të besojmë kur t’i shohim. Kur të shohim tërheqjen e trupave ruse, do të besojmë në uljen e përshkallëzimit”, –  tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Edhe Britania e Madhe skeptike

Në pamje të parë ky ishte një mesazh i mirëpritur nga të gjitha kancelaritë perëndimore, megjithatë fillimisht britanikët dhe më pas vetë ukrainasit janë shprehur skeptikë për diçka të tillë.

Ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss tha se do ta besonin se Rusia nuk ka qëllime pushtimi ndaj Ukrainës pasi të gjitha trupat të ishin tërhequr prej kufirit.

“Rusët kanë pohuar se nuk kanë plane për një pushtim të Ukrainës, por ne do të duhet të shohim një largim të plotë të trupave për të treguar se kjo është e vërtetë”, tha ajo për radion LBC këtë mëngjes.

Kur u pyet në lidhje me raportet e mediave se disa trupa ruse po ktheheshin në baza nga zona kufitare, Truss tha se duhej të shihte më shumë detaje për të kuptuar dimensionin e vërtetë të këtij veprimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë