Organizatat jofitimprurëse dhe fondacionet, vendase e të huaja do të pasqyrohen në një regjistër elektronik të krijuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ku do të jenë të detyruara të depozitojnë çdo të dhënë mbi aktivitetin, fondet apo themeluesit e tyre. Vendimi është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare vendimi për krijimin e regjistrit elektronik të OJF-ve.
Regjistri do të krijohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe do administrohet e mirëmbahet nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe do të përmbajë të dhëna, që lidhen me themelimin, fushën e veprimtarisë, çdo ndryshim në status dhe formën e organizimit të tyre, të dhëna që i përkasin atyre lidhur me përfaqësimin, si dhe të dhëna të tjera të parashikuara me ligj.
Regjistri sjell me vete edhe lehtësi në procedurat e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse, ndërkohë që një nxitje tjetër ka qenë edhe MONEYVAL, struktura europiane kundër pastrimit të parave. Në vitin 2020, Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit I rekomandoi Shqipërisë krijimin e regjistrit elektronik, ashtu si dhe përmirësimin e procedurave të regjistrimit të OJF-ve. Në Rekomandimet e Raportit të MONEYVAL vlerësohej se vendi ynë nuk ka ndonjë politikë të qartë për të promovuar llogaridhënien, integritetin dhe besimin publik në administrimin dhe menaxhimin e OJF-ve, duke pasur një qasje të kufizuar ndaj sektorit të OJF-ve dhe komunitetit të donatorëve për çështjet e financimit nga terrorizmi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



