Milan i rikthehet idesë së vjetër për të ndërtuar një stadium të ri të tij. Lajmi bëhet me dije nga “Milano Finanza” që flet për stadiumin e ri të kuqezinjve, duke e lidhur atë me rikualifikimin e zonës së Sesto San Giovanni nga grupi, Milano Sesto. Bëhet fjalë për një rikualifikim urban të kësaj zone që pritet të fillojë shumë shpejt, pasi është dhënë drita jeshile.
Në fakt një projekt për ndërtimin e stadiumit të ri të Milan në zonën e Sesto San Giovanni ishte hartuar që në kohën kur në krye të klubit ishte Silvio Berlusconi. Në atë periudhë kosto e impiantit të ri përllogaritej në shifrën e 270 milionë eurove. Por me presidencën re, nën patronazhin e “Fondit Elliot” edhe projekti për stadiumin është modifikuar.
Mediet italiane bëjnë me dije se presidenti i klubit milanist, Paolo Scaroni është futur në bisedime me drejtuesit e grupit që do të bëjë rikualifikimin urban të zonës, “MilanoSesto”. Idea e “Elliot” është të ndërtojë një “Milan Zone”, ku stadiumi të jetë vetëm një pjesë e gjithë investimit, që ndër të tjera do të jetë i përbërë edhe nga disa qendra komerciale. Nga ana tjetër grupi ka filluar nga puna, pasi ka bërë publike marrjen e një kredie prej 400 milionë eurosh nga Banka Intesa San Paolo. Kjo shifër do të mbulojë 40% të investimit fillestar të të gjithë projektit, ku ende nuk është përfshirë kosto e stadiumit që Milan mund të ndërtojë.
Sakaq klubi kuqezi do duhet të zgjidhë edhe çështjen e stadiumit “San Siro”. Impianti që është në pronësi të bashkisë së Milanos pritet t’i nënshtrohet një rikonstruksioni, ku parashikohet ulja e kapacitetit dhe më pas do i kalohet njërit prej dy klubet milanezë, Milan ose Inter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.