Menaxhim

AMF i heq licencat dy kompanive shqiptare të brokerimit dhe pezullon një të tretë

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, (AMF), ka hequr licencat për dy kompani brokerimi dhe ka pezulluar një të tretë për 3 muaj. Kompanive Vertex Securities dhe Eurotrade Securities, të dyja me kapital shqiptar, u është hequr licenca e operimit si agjent brokerimi në bursë, për shkak të mosrinovimit të kontratave pasi ajo ka përfunduar. Prodata Securities, me kapital të huaj, është pezulluar për tre muaj.

Sipas AMF-së, subjektet që veprojnë në Shqipëri duhet të kenë një kontratë me një kompani brokerimi në një vend të BE-së, ndërkohë këto kompani kanë vazhduar punën pa e rinovuar atë përsëri, pra pa licencë.

Këto lloje kompanish në vendin tonë veprojnë në formën e një call center-i, me objektiv klientët e huaj nga Bashkimi Europian. Specialistët e brokerimit, të quajtur agjentë ose brokera, ndihmojnë dhe konsultojnë investitorë potenciale në bursat ndërkombëtare të aksioneve, aseteve apo dhe monedhave digjitale.

Ka të tilla që abuzojnë me statusin, ato të llojit Forex, që muajt e fundit kanë qenë subjekt dhe i hetimeve nga autoritetet në Shqipëri.

Në fund të vitit të kaluar, u mbyll kompania RG Capital dhe arrestuan pronarin e saj, edhe ky një shtetas izraelit i quajtur Rafael Genish, për veprën penale të mashtrimit.

Në rregulloren e AMF-së, veprimtaria e agjentit është e kufizuar vetëm në promovimin e shërbimeve të investimit të shoqërisë komisionere. Rregullorja parashikon kryerjen e veprimtarisë së agjentit në emër dhe nën përgjegjësinë e plotë vetëm të një shoqërie komisionere të licencuar në Republikën e Shqipërisë, ose në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Shërbimi i agjentit mund t’i ofrohet klientëve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë ose klientëve të vendeve ku shoqëria komisionere është e autorizuar të ushtrojë aktivitet, sipas licencës përkatëse.

Vetëm një numër i kufizuar subjektesh janë regjistruar nga Autoriteti për të ushtruar aktivitetin e agjentit të lidhur, të pajisur me kontratën përkatëse me një shoqëri komisionere të licencuar në një nga vendet e BE-së. Gjatë vitit të fundit, Autoriteti ka çregjistruar tre shoqëri që operojnë si agjentë të lidhur, si edhe ka pezulluar aktivitetin e një shoqërie tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë