Shkencë

Një grup studimesh tregojnë se testi i pështymës identifikon një sërë sëmundjesh

Një test i thjeshtë i pështymës për përbërjen mund të ndihmojë në zbulimin e një sërë sëmundjesh. Studimet tregojnë se matja e niveleve të acidit urik në pështymë mund të ndihmojë në diagnostikimin e më shumë se një sëmundje, nga diabeti i tipit 2 te demencia dhe kanceri.

Ne prodhojmë deri në dy litra pështymë në ditë dhe ndërsa është 99 për qind ujë, ajo gjithashtu përmban më shumë se 700 mikroorganizma dhe përbërës të tillë si acidi urik. Ky acid krijohet kur trupi përpunon purinat, komponime të prodhuara normalisht nga qelizat e dëmtuara ose të vdekura në trup, por që gjenden gjithashtu në disa ushqime dhe pije.

Acidi urik largohet nga trupi me anë të urinës dhe pështymës. Një rishikim i ri i studimeve që kishin parë lidhjen midis niveleve të acidit urik në pështymë dhe sëmundjes ka arritur në përfundimin se një test i pështymës për acidin urik mund të jetë një metodë jo-invazive për diagnostikimin e sëmundjeve serioze që lidhen me stresin oksidativ.
Sipas studimeve kjo ndodh kur trupi nuk prodhon mjaftueshëm antioksidantë për t’u marrë me molekulat, të quajtura radikale të lira, që dëmtojnë indet nga një proces i quajtur oksidim. Siç shpjegojnë autorët, nga Universiteti i Shkencave Mjekësore Datta Meghe në Indi, nivelet anormalisht të larta të acidit urik mund të jenë një shënues i presionit të lartë të gjakut, sëmundjeve kardiovaskulare, sëmundjeve të veshkave, disa llojeve të kancerit dhe sindromës metabolike (një grup të problemeve shëndetësore duke përfshirë obezitetin dhe sheqerin e lartë në gjak, dhe një pararendës i diabetit të tipit 2).

Një studim i mëparshëm i botuar në revistën “Hypertension”, në vitin 2018 zbuloi se gratë me nivelet më të larta të acidit urik kishin dy herë më shumë gjasa të zhvillonin presion të lartë të gjakut, ndërsa burrat kishin një rrezik 37 për qind më të madh.
Dhe një studim i vitit 2020 në të botuar në “Journal of Cancer” zbuloi se nivelet e larta të acidit urik mund të përfshihen në disa lloje kanceri, duke përfshirë ato të traktit tretës. Përqendrimet e ulëta janë shoqëruar me depresion, ankth, Parkinson dhe Alzheimer.
Profesor Raj Persad, një urolog konsulent në Bristol Urology, tha se ekspertët janë vazhdimisht në kërkim të shënuesve diagnostikues si acidi urik që shmangin testimet invazive si biopsia ose testimi i gjakut.
Sipas tij jo vetëm që mund të diagnostikohen sëmundjet , por mund t’i përdorim ato për t’i parandaluar ato me kontrolle më të shpejta sesa të presim për teste standarde laboratorike.

Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë