Normat mesatare të kredisë për individë në monedhën vendase shënuan sërish rënie vitin e kaluar dhe prekën nivelin më të ulët historik.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredive të reja në lekë zbriti në 6.34%, nga 6.52% që kishte qenë një vit më parë.
Ndikimin kryesor në uljen e normës mesatare të interesit e dhanë kreditë me qëllim blerjen e banesave, që kanë edhe peshën kryesore në volumin e kredisë bankare për individët.
Sipas statistikave interesi mesatar i këtyre kredive në lekë për vitin e kaluar zbriti në 3.43%, nga 3.66% që kishte qenë një vit më parë.
Rënia graduale e normave të interesit në lekë dhe ngushtimi i diferencave me euron ka dhënë një ndikim të ndjeshëm në shtimin e huamarrjes së individëve në monedhën vendase gjatë viteve të fundit. Ndërkohë, normat e interesit për overdraftet dhe kreditë konsumatore në terma mesatarë shënuan një rritje të lehtë.
Për sa i takon kredive për individë në monedhën euro, normat e interesit vitin e kaluar shënuan një nivel mesatar prej 3.61%, me një rritje shumë të lehtë nga shifra prej 3.59% e vitit të kaluar.
Produkti kryesor i kredisë për individë që jepet në euro, kredia për banesa u dha mesatarisht me një normë interesi prej 3.17%, nga 3.12% që kishte qenë për vitin 2020.
Normat e ulëta të interesit i kanë dhënë një shtysë të fortë rritjes së kredisë për individë gjatë viteve të fundit.
Kjo vlen sidomos për kredinë me qëllim blerjen e pronave. Kosto e ulët e kredisë ka shtyrë gjithnjë e më shumë familje të zgjedhin të blejnë një pronë të tyren, ndërsa shumë të tjerë po blejnë pasuri të paluajtshme me qëllim investimi, duke parë tendencën në rritje të çmimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




