Pak orë më parë kreut të renditjes i ishte bashkuar edhe Laçi, që mundi Flamurtarin dhe barazoi me pikë Kukësin dhe Partizanin. Por të kuqtë e shfrytëzuan në mënyrën më të mirë shansin e shkëputjes, duke mundur 3-0 Teutën në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe tani presin një “nder” nga Korça, mundësisht një barazim.
Skuadra e trajnerit Gega po udhëhiqet nga të rinjtë e talentuar këtë sezon dhe njëri prej tyre, Jasir Asani, ishte ai që u dha fitoren ndaj durrsakëve. Këtë herë trajneri i Partizaanit preferoi Rubin Hebajn titullar, duke lënë në stol Mensah. Pas një gjysmë ore me lojë akademike, pa raste të pastra shënimi, Partizanit i buzëqeshi fati. Asani ekzekutoi një goditje dënimi dhe i ndihmuar edhe nga një devijim nga muri, e kaloi ekipin e tij në avantazh. Pak para fundit të pjesës së parë ai dyfishoi shifrat dhe e dërgoi skuadrën e kuqe të qetë në dhomat e zhveshjes pas avantazhit të dyfishtë.
Teuta e nisi pjesën e dytë me dy ndërrime, por edhe kjo lëvizje e trajnerit Shkëmbi nuk ndryshoi gjë, sepse Partizani e adminsitroi mjaft mirë lojën, për të shënuar edhe golin e tretë në fundin e ndeshjes me afrikanin Mensah, i cili zuri vendin e Asanit. Një fitore e pastër e Partizanit, që është ngjitur në kuotën e 16 pikëve dhe të paktën për 24 orë do të jetë i vetëm në vend të parë. Kukësi rival luan në fushën e Skënderbeut dhe të kuqve do t’u interesonte barazimi ose fitorja e korçarëve. Skënderbeu-Kukësi është ndeshja që mbyll javën e 7-të të Superiores, ndërsa në fundjavë do të luhet java e 8-të.
Pas fitores bindëse me Teutën, trajneri i Partizanit, Skënder Gega, u shpreh: “Nuk duhej të gabonim në këtë moment. Nuk bëmë diçka të jashtëzakonshme, por duhet të them se çunat u treguan të pjekur. Teutën e kishim studiuar deri në detaje dhe jam i kënaqur me këtë fitore. Partizani po punon për qëllimin e përbashkët dhe grupi është gjithçka. Janë djem të jashtëzakonshëm. Partizani ka histori të madhe. Mensah donte të luante, ai është një sportist shumë i mirë, por klubi ka rregulla. Kur u aktivizua, i thashë se isha i kënaqur me të. Është luks kur ka konkurrencë dhe është një presion pozitiv. Duhet të marr vendime për të mirën e punës. Hebaj duhet të luajë si të tjerët”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.