Art dhe Kulture

Ermonela Jaho zgjidhet anëtare nderi e shoqatës lirike në Spanjë

Sopranoja e njohur, Ermonela Jaho, anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është zgjedhur anëtare nderi e Shoqatës Lirike “Alfredo Kraus”, në Spanjë.

Pas suksesit në premierën e operës “Adriana Lecouvreur” në Spanjë, për të cilën gazetat më të mëdha spanjolle shkruan me tituj si “Brillante Ermonela”, “Ermonela Jaho una diva” etj, vjen një tjetër vlerësim për të.

Në një ceremoni të veçantë sopranoja Jaho u nderua me dhënien e medaljes si anëtare nderi e shoqatës që mban emrin e tenorit të shquar, Alfredo Kraus Trujillo.

Sopranon Ermonela Jaho, e cila është shndërruar prej vitesh në një emblemë të artit interpretues botëror, e uron edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“I bashkojmë duartrokitjet tona, atyre të publikut në mbarë botën. Ermonela, krenarë për ty!”, shkruan Margariti ndërsa ka shpërndarë foto nga interpretimi i Jahos në Spanjë.

Sopranoja Jaho është shprehur se “njerëzimi ushqehet dhe rritet me kulturën dhe është trashëgimia më e mirë që mund t’ua lëmë brezave të rinj. Në të njëjtën mënyrë që bënë artistët e mëdhenj si Alfredo Kraus, Callas apo Caballé. Ju falënderoj për këtë vlerësim që do të thotë shumë për mua, sepse do të më japë akoma më shumë forcë për t’u përmirësuar dhe për ta lënë shpirtin tim të shprehet lirshëm në skenë. Rroftë muzika dhe rroftë opera”, shprehet sopranoja e mirënjohur.

Më 15 shtator, Ermonela Jaho u ngjit edhe në skenën e rikonstruktuar të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, skena ku nisi edhe ëndrra e saj dhe interpretoi krah tenorit spanjoll, Placido Domingo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë