Politike

Basha: Ka vetëm një opozitë, ajo është PD përballë treshes Berisha-Rama-Meta

Në takimin e organizuar me strukturat drejtuese të degës numër dy të PD-së, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se Berisha-Meta dhe Rama janë bashkë dhe se përballë tyre ka vetëm një opozitë, ajo është PD.

“Zgjidh Ramën dhe merr Berishën dhe Metën. Zgjidh Berishën e Metën dhe merr Ramën…

Përballja është e qartë, në Shqipëri ka vetëm një opozitë, kundër qeverisë më të korruptuar që ka njohur vendi në 30 vite, qeverisë më të korruptuar të Ballkanit, siç e nxori prapë raporti i fundit ndërkombëtar i Transparency Internacional. Ka vetëm një opozitë dhe kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë, që është një dhe vetëm një, jo dy. Ka vetëm një opozitë garante të interesit publik që përballet me të gjitha format dhe mënyrat me të keqen. Dhe gjithë të tjerët janë bërë bashkë.

Në qoftë se kemi mësuar diçka në këto muaj, të gjithë të tjerët janë bërë bashkë me Edi Ramën. I patë mbrëmë si flasin njësoj, mbajnë të njëjtat qëndrime, përdorin të njëjtat terma, kanë të njëjtën gjuhë, i bashkon i njëjti hall, që nuk është halli i shqiptarëve, është halli i karrigeve të tyre personale, i fatit të tyre personal. Në raport me atë që i kanë hyrë në hak shqiptarëve. Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike.

Edhe ata janë bashkë, mos keni iluzione. Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Mos keni asnjë iluzion…”, tha ndër të tjera Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë