Treg

Raporti i KLSH: Si dhe sa e dëmtoi buxhetin dhe konsumatorin koncesionari i pompave të karburanteve

Kalimi te privati i kontrollit dhe kolaudimit të pompave matëse të karburanteve, jo vetëm që i hoqi buxhetit të shtetit të ardhura prej disa milionë eurosh në vit, por as justifikoi objektivin e privatizimit për të rritur mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet me peshën dhe cilësinë e karburanteve.

Në këtë përfundim ka dalë një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ndërmarrë në Ministrinë e Financave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë. Raporti vë në dukje mungesën e akteve nënligjore në këtë drejtim si dhe vetë ndryshimet e 2020-s në ligjin për metrologjinë.

“Përjashtimi që i bëhet institucionit publik në ushtrimin e plotë të funksionit të inspektimit, psh., në rastin e karburanteve dhe gazit të lëngshëm, praktikisht i bën të pakontrollueshme instrumentet matës, përdoruesit e tyre dhe cilësinë e shërbimit të verifikimit që ofrohet nga koncensionari, duke rritur mundësinë e dëmtimit të interesave të konsumatorit”, thuhet në raport.

KLSH qorton amendimet e propozuara në moment të fundit në 2020 në këtë ligj, duke i cilësuar si ndryshime që favorizuan koncesionarin, rritën kostot për qytetarët, por pa përmirësuar cilësinë e shërbimit.

Deri në 2020, ligji për metrologjinë binte ndesh me koncesionin e pompave të dhënë për kompaninë “Noa Control” dy vite më parë, pasi në kontratën koncesionare ky shërbim i jepej privatit, ndërsa në ligj përcaktohej Drejtoria e Përgjithshme për Metrologjinë. Amendimi i ligjit në 2020 e zgjidhi këtë ngërç, duke e përjashtuar këtë drejtori nga ky funksion, por KLSH thotë se mungesa e akteve nënligjore ka dëmtuar konsumatorët pasi nuk parashikohet asnjë masë administrative nga shkelësit.

“Subjektet e autorizuara nga DPM, vetë DPM dhe koncesionari, kanë të drejtë vetëm verifikimin metrologjik të instrumentit, jo edhe marrjen e masave administrative. Në këto kushte, në gjykimin e grupit të auditimit, ligjvënësi nuk mund të jetë i sigurt, që koncesionari/subjekti i autorizuar do të bllokojë një instrument, të cilin më përpara e ka verifikuar vetë ai”, vlerëson KLSh.

Kontrolli dhe kolaudimi i pompave të karburantit bëhej nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dy herë në vit kundrejt një kostoje prej 100 lekësh për pompë. Të ardhurat që grumbulloheshin nga këto tarifa dhe që shkonin në buxhetin e kësaj drejtorie përllogariteshin nga 2 deri në 3 milionë euro.

Në relacionin shoqërues kur u ndryshua ky ligj, Ministria e Financave në atë kohë deklaronte se transferimi te privati i këtij shërbimi ishte pa kosto financiare për buxhetin e shtetit, gjë që në raportin e auditimit të KLSH-së vlerësohet si e pasaktë.

KLSH i rekomandon ministrisë që të marrë masat e nevojshme për ngritjen e një grupi me qëllim analizën e situatës dhe verifikimin e raportit të analizës ekonomike-financiare me qëllim dokumentimin e plotë të procedurës së hartimit dhe miratimit të këtij ligji dhe publikimin e versionit përfundimtar së bashku me dokumentacionin shoqërues, në faqen zyrtare të konsultimit publik si dhe në faqen zyrtare të MFE-së.

Koncesioni i pompave të karburanteve u dha pas një oferte të pakërkuar për një periudhë 20-vjeçare. Kompania propozuese, “Noa Control” premtoi investim rreth 600 mijë euro, ndërsa i gjithë koncesioni parashikohet që t’i gjenerojë të ardhura të paktën 60 milionë euro.

Koncesioni u kundërshtua nga tregtarët e karburanteve, që thanë se Qeveria nuk argumentoi se ku qëndron interesi i publikut në këtë mes. Sipas tyre, kalimi i këtij shërbimi te privati rrit kostot për qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë