Drejtësia

Vrasja e ish-policit Santiango Malko, dënohet me 25 vite burg Blendi Teta

Gazeta Si - Blendi Teta është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në 27 gusht 2019, ndërkohë që SPAK kishte kërkuar 19 vite burg në nëntor.

Teta u gjet fajtor nga trupa gjykuese si pjesëmarrës në ekzekutimin e Malkos mbrëmjen e 28 gushtit në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë me akuzën e vrasjes me paramendim.

GJKKO ka pranuar si të arsyeshme provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, e cila këmbënguli në akuzën ndaj Tetës.

Prokurorët vërtetuan se Teta kishte pasur rol në mbajtjen nën vëzhgim të Santiago Malkos me qëllim që të gjendej një moment i përshtatshëm për ta qëlluar.

Fillimisht Blendi Teta u hetua për “moskallëzim krimi“, por pas hetimeve të tjera nga prokuroria, doli se ai ishte në dijeni dhe pjesë e planit për vrasjen e ish-policit.

Malko lëvizi pasditen e atentatit nga spitali i Pediatrisë në Tiranë drejt rrugës “Xhanfize Keko”, pasi atje kishte djalin të sëmurë dhe sipas prokurorisë, ka qenë pikërisht Blendi Teta me makinën e tij që ka ndjekur objektivin nga spitali drejt vendit ku u krye dhe atentati.

Teta është i vetmi i dënuar për këtë vrasje deri më tani, ndërsa prokuroria ka shpallur në kërkim 7 persona, anëtarë të ashtuquajturit klani Duka në Tiranë, të cilët dyshohet se organizuan dhe ekzekutuan planin për vrasjen e Santiago Malkos.

Në pretencën e tij prokurori i tha gjykatës se vrasja e Malkos, ishte kryer për shkak të përplasjeve mes dy grupeve kriminale në Tiranë, që prokuroria e ka specifikuar atë të vëllezërve Duka dhe Ervis Martinit.

Ndaj këtyre personave, çështja gjyqësore, vijon ende të zhvillohet, me përjashtim të çështjes për të dënuarin Blendi Teta, që ndodhej në fazën përfundimtare. Malko ndodhej në ambientet e një lavazhi në këtë zonë, ku sapo ka dalë në rrugë, është përballur me breshëri automatiku, duke mbetur i vdekur në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë