Futboll

Shokon ish-portieri i Liverpulit: Nuk e di sa njerëz kam vrarë!

Me Liverpulin ka fituar gjithçka pas viteve ’80, por askush nuk e ka ditur deri tani të kaluarën e hidhur të ish-portierit të klubit të madh anglez. E ka treguar vetë ai, duke i lënë të gjithë me gojë hapur.

“Futbolli më shpëtoi nga depresioni dhe më mbajti larg nga kujtimet e errëta të luftës”. Është ky fillimi i rrëfimit shokues të Brus Grobelar, ish-portierit të Liverpulit. Për “The Guardian” ai ka sjellë kujtimet e vitit 1975, kur sapo kishte mbushur 18 vjeç dhe ishte futur në ushtrinë e vendit të tij të lindjes në Afrikë, që është Zimbabve e sotme, për luftën civile të Rodesias. Një luftë e pamëshirshme, ku ai u detyrua të vrasë një numër të madh personash, që në atë kohë u ngritën kundër qeverisë së Robert Mugabes: “Dita po agonte dhe dielli ende nuk kishte dalë, pashë hije mes gëmushave, – rrëfen Grobelar. – Nuk arrija t’i shihja qartë, derisa dallova që ishin ushtarë kryengritës. Në atë moment mendova: o jetoja unë, o ata. Qëllova dhe u shtriva përtokë, pasi kishte shkëmbim zjarri. Më pas dëgjova zëra: “komandant, më qëlluan”. U mundova t’i qetësoja, sepse në të kundërt më vrisnin mua dhe të tjerët. Kur ndaluan të shtënat, pashë shumë trupa në tokë. Ishte hera e parë dhe gjithçka që kisha në stomak m’u ngjit lart deri në gojë. Sa vrava? Nuk mund ta them. Kam vrarë shumë persona dhe me këtë ndjenjë e kam jetuar jetën time. Jam penduar për atë që kam bërë, por nuk mund të ndryshoj asgjë tani”.

Ish-portieri i Liverpulit, Brus Grobelar

Më tej, Grobelar tregon një episod për një shokun e tij dhe pranon se ishte duke kaluar në depression, si shumë ushtarë të tjerë që ishin vetvrarë: “Mbaj mend që ai i priste veshët çdo ushtari kundërshtar që viste dhe i vendoste në një vazo. Dhe kishte shumë vazo… Familja e tij ishte torturuar dhe ai kërkonte hakmarrjen”, – thotë Grobelar. Në vitin 1979, kur lufta mbaroi, ish-portieri shkoi në Kanada dhe luajti për Vankuver Uajtkap, para se të kalonte në Angli sezonin pasardhës. Me Liverpulin fitoi 6 tituj kampion në Premier League, Kupën e Kampionëve në vitin 1984 kundër Romës dhe 3 Kupa Anglie. “Tifozët më thërrisnin “Jungleman”, njeriu i xhunglës. Ata thoshin që nuk isha një i bardhë, por një i zi me lëkurën e një të bardhi. Futbolli vërtet më shpëtoi nga depresioni”, – thekson në fund Grobelar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë