Menaxhim

Norma e re tavan e interesit për kreditë konsumatore, synon fundin e abuzimeve nga institucionet financiare

Banka e Shqipërisë ka paraqitur normat tavan të interesit për kreditë konsumatore, për herë të parë në vendin tonë, miratuar në fund të vitit 2021.

NEI, norma efektive e interesit, maksimale për kredinë me këste është përcaktuar 171.41% për shumat deri në 200 mijë lekë. Për overdraftet 19.55% dhe kartat e kreditit 27.28%, po për të njëjtën shumë.

Për shumën mbi 200 mijë deri në 2 milionë lekë, NEI do të ulet, për kreditë me këste në 38.79% dhe për overdraftet 16.75%.

Për kreditë e dhëna, NEI do të përllogaritet nga BSH me bazë 6-mujore, sa herë rishikohet regjistri i kredive dhe publikimet po ashtu.

Deri në publikimet  e 6 mujorit të dytë të vitit të shkuar, norma efektive e interesit për kreditë me këste deri në 200 mijë lekë ka rezultuar 128.56%, për overdraftet 14.66 dhe për kartat e kreditit 20.46%. Për kreditë me këste me vlerë deri në 2 milionë lekë norma mesatare efektive e interesit ka rezultuar 29.09%, ndërsa për overdraftet 12.56%.

Kur Banka e Shqipërisë nxorri fillimisht këtë projektrregullore, një vit më parë, njoftoi se kjo po bëhet për të mbrojtur konsumatorin nga abuzimet e bëra nga kredidhënësit, sidomos kur janë institucione financiare jo banka.

Bashkë me normën tavan të interesit hyn në fuqi dhe tavani prej 30% i kësteve të papaguara të kredisë, si penalitet për kreditorët që vonojnë shlyerjen e tyre. Për shkak të abuzimeve të bëra po nga institucionet financiare jo banka, Banka mori këtë vendim, ku sipas të dhënave, penaliteti që detyroheshin konsumatorët të paguanin mund të kalonte dhe shumën e mbetur për t’u shlyer.

Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë