Menaxhim

Forumi Ekonomik Botëror: Çfarë e kërcënon stabilitetin e Shqipërisë këtë vit

Për vitin 2022, Shqipëria rriskohet nga 5 elementë ku më me shumë peshë është destabilizmi i marrëdhënieve ndërshtetërore.

Nga raporti i Forumit Ekonomik Botëror, risku i dytë për stabilitetin në vendin tonë është dëmtimi i mjedisit nga dora e njeriut. Mangësitë në sistemet e sigurisë kibernetike është risku i tretë, kriza e borxhit risku i katërt dhe i fundit sëmundjet infektive.

Raporti që analizon ecurinë  e të gjitha vendeve në botë sipas pikave më të dobëta të tyre, përmend pabarazinë e shpërndarjes së vaksinave dhe tensionet gjeopolitike si pengesë në rimëkëmbjen ekonomike për vitin që sapo hyri.

Sipas raportit, nga 2024, ekonomitë në zhvillim do të shohin një rënie 5.5% nën PBB-në e pritur para pandemisë, ndërkohë që ekonomitë e zhvilluara do ta kenë tejkaluar me 0.9%, duke zgjeruar kështu hendekun global të të ardhurave.

Përmendet se tensionet globale do të vështirësojnë bashkëpunimin e shteteve për sfidat klimatike, sigurinë digjitale dhe rivendosjen e prioriteteve për përmirësimin social të jetesës.

Sipas Forumit të Rrezikut Ekonomik Global, në vitin 2022, e gjithë bota do të përballet me rreziqet klimatike, kibernetike, diferencimi social dhe rimëkëmbja e pabarabartë midis vendeve.

Sondazhi global i ekspertëve të rrezikut zbulon se vetëm 1 në 6 janë optimistë dhe 1 në 10 besojnë se rimëkëmbja globale do të përshpejtohet.

Për të zgjidhur këto çështje sistemike, raporti sugjeron që udhëheqësit globalë duhet të mblidhen dhe të miratojnë një përgjigje të koordinuar, me shumë palë, për të siguruar një rimëkëmbje të barabartë globale.

Për më tepër, shumica e ekspertëve të rrezikut besojnë se një rimëkëmbje globale do të jetë e paqëndrueshme dhe e pabarabartë gjatë tre viteve të ardhshme. Individët më të cenueshëm mund të kenë nevojë të lënë shtëpitë e tyre për të gjetur mundësi të reja ekonomike, ndërkohë që efektet e pandemisë, rritja e proteksionizmit dhe dinamikat e reja të tregut të punës po krijojnë barriera për emigrantët. Emigrimi i pavullnetshëm shfaqet si shqetësimi kryesor afatgjatë në raportin e këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë