Një atentat me armë zjarri ndaj Gentian Bejtjas ka ndodhur në zonën e Niklës në Fushë-Krujë. Së bashku me të ka mbetur i plagosur edhe shoku i tij, Klodian Stafuka.
Dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për të marrë ndihmë mjekësore.
Dyshohet që shënjestër e atentatit ka qenë 41-vjeçari Gentian Bejtja, person i njohur për policin, ndërsa Klodian Stafuka ka mbetur i plagosur për shkak se makina ka dalë jashtë rruge dhe jo nga plumbat.
41-vjeçari Gentian Bejtja ka rënë pre e një atentati edhe në vitin 2016, kur në automjetin e tij shpërtheu një sasi tritoli. Ai mbeti i plagosur nga atentati me tritol në atë kohë.
41-vjeçari,Bejtja rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë dhe një emër i njohur për policinë. Emri i Gentjan Bejtjes, nga fshati Larushk i Fushë-Krujës dhe një ish-polic i burgut të Fushë-Krujës, u bë publik më 26 shkurt 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, në rrugën “Petro Korçari”, pranë banesës së tij. Bashkë me Enver Stafukën (i rrëmbyer dhe zhdukur që nga mbrëmja e 8 shkurtit 2015), ata u akuzuan për vrasjen e kryekomisar Lamajt. Të dy vodhën një makinë “BMW” që u përdor në vrasjen e Lamajt në vitin 2013. Automjeti i ishte vjedhur një ditë para vrasjes në rrugën “Aleksandër Goga” në Durrës dhe pas krimit, autorët e vrasjes e dogjën pranë Domjes në Tiranë. Bejtja dhe Stafuka u vunë në pranga në atë kohë nga policia, por u liruan në vitin 2015.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



