Rregullatorët francezë kanë goditur kompanitë Google dhe Facebook me 201 milionë euro gjobë, për shkak të përdorimit të mekanizmit për gjurmim online të përdoruesve, kanë thënë autoritetet më 6 janar.
Gjoba prej 150 milionë eurosh ndaj Google është lëshuar nga Komisioni Kombëtar i Francës për Teknologji Informative dhe Liri.
Ky institucion ka gjobitur gjigantin Google me gjobë prej 100 milionë eurosh edhe në dhjetor të vitit 2020.
“Komisioni ka vërtetuar se faqet facebook.com, google.fr dhe youtube.com nuk iu mundësojnë përdoruesve që të refuzojnë përdorimin e të dhënave të tyre, me aq lehtësi sa të pranojnë këtë kërkesë”, ka thënë trupi rregullativ.
Të dyja platformat kanë tre muaj kohë për të ndryshuar praktikat, pasi më vonë Franca do të vendosë gjoba prej 100.000 eurosh në ditë.
Google ka thënë për agjencinë e lajmeve, AFP se do të ndryshojë praktikat e veta.
“Në përputhje me pritshmëritë e përdoruesve të internetit, ne jemi të përkushtuar për të zbatuar ndryshime të reja, si dhe të punojmë me Komisionin francez pas vendimit të tij”, ka thënë kompania amerikane përmes një deklarate.
I njohur si “cookies”, ky mekanizëm i të dhënave formohet në kompjuterin e përdoruesve kur ata vizitojnë një faqe, çka u mundëson kompanive të ruajnë informacionin rreth vizitës së faqes.
Ky mekanizëm është shumë i rëndësishëm për Google dhe Facebook, si mënyrë për të personalizuar reklamat – burimin kryesor të të hyrave.
Google, Facebook dhe YouTube e bëjnë shumë të lehtë dhënien e pëlqimit për cookies nëpërmjet një butoni të vetëm, ndërsa refuzimi i kërkesës kërkon disa klikime.
U kishte dhënë kohë kompanive të internetit deri në prill 2021 që të përshtateshin me rregullat më të rrepta të privatësisë, duke paralajmëruar se do të fillonin të përballeshin me sanksione pas kësaj date.
Gazeta franceze Le Figaro ishte e para që u sanksionua, duke marrë një gjobë prej 50.000 euro në korrik për lejimin e instalimit të cookies nga partnerët reklamues pa miratimin e drejtpërdrejtë të përdoruesve, apo edhe pasi ata i kishin refuzuar ato.
Gjobat bazoheshin në një ligj të mëparshëm të BE-së, Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave duke argumentuar se kompanitë nuk kishin dhënë informacion “mjaftueshëm të qartë” për përdoruesit në lidhje me cookies.
Burimi: NDTV/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




