Njerez

Ndahet nga jeta Arben Laze, presidenti që ktheu Elbasanin te titulli pas 22 vitesh

Është ndarë nga jeta Arben Laze, një nga figurat më të njohura të botës së futbollit gjatë viteve të fundit. Një lajm që ka trishtuar gjithë familjen e futbollit shqiptar, ku Laze ishte një nga personazhet më popullorë. Në rolin e presidentit, ai i dha Elbasanit titullin e dytë kampion në vitin 2006.

Gjendja shëndetësore e Arben Lazes u përkeqësua pas një infarkti që pësoi pak ditë më parë dhe ai nuk mundi të mbijetojë pas një ndërhyrje kirurgjikale, së cilës iu nënshtrua.

Arben Laze, kur Elbasani shpallej kampion. Gazeta Si, 6 janar 2022

Të gjithë kujtojnë rikthimin te titulli të Elbasanit pas 22 vitesh, ku presidenti Laze ka meritën kryesore për skuadrën që krijoi me kontributin e tij financiar, duke afruar emrat më të njohur të futbollit shqiptar, me në krye Nevil Deden dhe Skerdi Bejzaden, ndërsa në stol ishte Ilir Daja.

Është e famshme festa e madhe e tipit anglez për titullin e Elbasanit në vitin 2006, kur verdheblutë pushtuan qytetin me një autobus të hapur, të shoqëruar nga mijëra tifozë.

Reagimet pas lajmit të trishtë nga aktorët e futbollit kanë qenë të shumta. “Mora lajmin e rëndë se miku im i mirë, presidenti i Elbasanit që ai e deshi aq shumë, Arben Laze, u nda nga ne. Është e vështirë dhe tani për mua ta besoj dhe të shkruaj këto fjalë për një njeri të mirë, plot humor dhe optimizëm, që kontribuoi aq shumë për futbollin shqiptar.

Duka dhe Laze. Gazeta Si, 6 janar 2022

Beni ishte një mik i të gjithëve ne, një njeri që nuk hiqte dorë lehtë nga përgjegjësitë dhe sfidat. Energjia e tij do t’i mungojë komunitetit të futbollit. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë miku im, do më mungosh!’, – shkruan në faqen e tij në Facebook presidenti i FSHF-së, Armand Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë