Shendet

Nis kontrolli për certifikatat e vaksinimit, administratorët do të jenë përgjegjës për punëtorët e pa vaksinuar

Të mërkurën ka nisur kontrolli për punonjësit e administratës, super-marketeve, qendrave tregtare dhe maketeve për pajisjen me certifikatën e vaksinimit. Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ekspertëve të Komitetit Teknik në vendin tonë erdhi para një muaji. Këta punonjës duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit, testin PCR çdo 5 ditë ose vërtetim se e kanë kaluar sëmundjen e Covid-19 për çdo rast të kontrollit nga Inspektorati Shëndetësor Shtetëror.
Në një prononcim për Gazetasi.al Areti Beruka nga Inpektoriati Shëndetësor Shtetëror tha se në terren përgjatë ditës së sotme janë 11 grupe pune me nga dy inspektorë. Lidhur me masat që do të merren për punonjësit e pa vaksinuar Beruka i shpjegoi Gazetasi.al se ende janë në proces verifikimi e më pas vijojnë masat.
“Është përgjegjësi e administratorëve për të mos pranuar në punë persona të cilët nuk kanë zbatuar pikat e përcaktuara në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë”, shtoi Beruka.


Në një vëzhgim Gazetasi.al foli me punonjës në super-markete dhe markete të vogla të cilët konfirmuan se përpara disa ditëve kishin dorëzuar certifikatat e vaksinimit tek departamenti i burimeve njerëzore. Ndërkaq kishte filluar të ekzekutohej vendimi për mbajtjen e maskës nga punonjësit dhe qytetarët. Rregull ky që nuk është zbatuar në masë në vendin tonë, por as nuk janë marrë masa.
Punonjësit u shprehën se sot ishin njoftuar se pavarësisht se i kanë dorëzuar dokumentet që përcaktojnë se nuk kanë Covid-19, duhet t’i kenë edhe për t’ia treguar inspektorëve në momentet e kontrollit.
Ndërkohë viti i ri nuk nisi vetëm me rregulla të përforcuara për vaksinimin e qytetarëve por edhe me raste të shtuara nga varianti i ri. Pasditen e së martës u konfirmuar rreth 801 raste duke u rritur ndjeshëm numri i infektimeve në krahasim me një javë më parë. Kjo situatë e bën domosdoshmëri ndryshimin e strategjisë së vaksinimit.

Ekspertë të shëndetit publik si Alimehmeti, Shapo, Sallabanda e të tjerë kanë shpjeguar më herët për Gazetasi.al se vaksinimi duhet të shtrihet edhe më tej për të përmbushur objektivin e imunizimit të popullatës deri 70%. Deri më tani vaksinimi i shqiptarëve ka arritur në numrin 40% për popullatën target.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë