Shendet

Virusi Shamonda, sa e shqetësuar duhet të jetë Europa?

Autoritetet franceze kanë konfirmuar rastin e parë të infeksionit me virusin Shamonda te njeriu, te një pacient në Lion, i cili ndërroi jetë në fillim të tetorit. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) u bën thirrje autoriteteve shëndetësore të tregojnë vigjilencë, por të mos përfshihen nga paniku.

Pacienti vuante nga leucemia dhe kishte një sistem imunitar tepër të dobësuar. Sipas ekspertëve, hetimet po vijojnë për të përcaktuar nëse virusi shkaktoi apo kontribuoi në vdekjen e tij.

Virusi Shamonda është hasur më parë kryesisht te gjedhët dhe transmetohet përmes pickimit të mizave të vogla thumbuese. I zbuluar për herë të parë në Nigeri në vitet 1960, ai është identifikuar këtë vit edhe në disa vende të Evropës Perëndimore.

Sipas ekspertëve të ECDC-së, aktualisht ka pak prova që tregojnë se virusi përbën një kërcënim të gjerë për popullatën. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e infeksioneve të tjera te njerëzit.

Autoritetet po kryejnë hetime klinike, laboratorike dhe epidemiologjike për të përcaktuar mënyrën e infektimit dhe rrezikun e mundshëm për shëndetin publik. Gjithashtu, po shqyrtohet mundësia e testimit të personave që kanë pasur kontakt me kafshët, përfshirë fermerët dhe veterinerët.

ECDC dhe Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) po bashkëpunojnë për të vlerësuar rrezikun, duke ndjekur qasjen “Një Shëndet”, e cila lidh shëndetin e njerëzve me atë të kafshëve.

Ekspertët theksojnë se rasti përbën një sinjal që kërkon vëmendje shkencore dhe monitorim të kujdesshëm, por deri tani nuk ka prova të mjaftueshme për të sugjeruar një kërcënim të gjerë për popullatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë