Shkencë

Shkencëtarët do përdorin “super kompjuterat” për të luftuar rezistencën ndaj antibiotikëve

Shkencëtarët kanë bërë një “hap gjigant” në luftën e rezistencës ndaj antibiotikëve që konsiderohet të jetë kërcënimi më i madh për shëndetin e njerëzve. Çdo vit, rreth 700,000 njerëz vlerësohet të vdesin për shkak të baktereve rezistente ndaj antibiotikëve dhe ky numër pritet të rritet në miliona në vitet e ardhshme.
Pa antibiotikë efektivë, jetëgjatësia e një personi mund të bjerë me 20 vjet, duke i shtyrë shkencëtarët të zhvillojnë antibiotikë të rinj që mund të luftojnë sëmundjen më shpejt, përpara se ajo të jetë në gjendje të ndryshojë.
Një ekip ndërkombëtar studiuesish të bashkë-drejtuar nga Gerhard Koenig i universitetit të Portsmouth në Britani po përdorin kompjuterë për të ri dizajnuar antibiotikët ekzistues. Koenig i cili është kimist tha se antibiotikët janë një nga shtyllat e mjekësisë moderne dhe rezistenca ndaj antibiotikëve është një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin e njeriut.
“Zhvillimi i një antibiotiku të ri zakonisht përfshin gjetjen e një objektivi të ri që është thelbësor për mbijetesën e një game të gjerë bakteresh të ndryshme. Kjo është jashtëzakonisht e vështirë dhe vetëm shumë pak klasa të reja të antibiotikëve janë zhvilluar kohët e fundit,” shtoi Koenig.

Ekipi hulumtues ka propozuar një kandidat(ilaç) që është deri në 56 herë më aktiv për shtamet bakteriale të testuara sesa antibiotikët në listën e barnave thelbësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
“Jo vetëm që kandidati ynë më i mirë është më efektiv kundër objektivave të testuar, por gjithashtu tregon aktivitet kundër tre baktereve të renditura më të rëndësishme nga lista e prioriteteve të OBSH-së, ku antibiotikët ekzistues të testuar nuk funksionojnë,” tha Koenig.
Studimi tregon se si shkenca mund të përdoret për të luftuar rezistencën ndaj antibiotikëve përmes përdorimit të evolucionit llogaritës të barnave të reja.
“Kompjuterët tanë po bëhen më të shpejtë çdo vit. Pra, ka njëfarë shprese se do të jemi në gjendje të ndryshojmë rezistencën ndaj antibiotikëve. Nëse kompjuterët mund të mposhtin kampionin e botës në shah, atëherë do të jenë në gjendje të mposhtin bakteret,” shton Koeing.

Burimi: The Independent/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë