Futboll

Londra, ose qyteti i stadiumeve

Anglia është vendi ky futbolli lindi dhe nëse keni pasur dyshime për këtë gjë, mjafton të bëni një vizitë në Londër. Kryeqyteti i Anglisë është qyteti me densitetin më të madh të stadiumeve në botë. Janë plot 22 stadiume me kapacitet minimalisht mbi pesë mijë spektatorë. Një shifër mbresëlënëse që tregon dashurinë e madhe që ekziston në ishullin britanik për këtë sport. Nëse do të bënim ndonjë krahasim me Shqipërinë, me standardet e këtyre 22 impianteve, në vendin tonë janë vetëm dy stadiume, “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”. Nëse ky krahasim nuk iu duket bindës, Londra ka 20 stadiume më shumë se Roma, kryeqyteti i Italisë. Ka 18 stadiume më shumë se Parisi, 16 më shumë se Madridi dhe 19 më shumë se Berlini, kryeqyteti Gjermanisë. Të gjitha këto kryeqytete të vendeve që dominojnë sot në futbollin botëror së bashku kanë vetëm 15 stadiume.

Është një pasion shumë i madh për futbollin në kryeqytetin anglez për këtë  sport që ndiqet masivisht. Janë shumë të rralla në ndeshjet e zhvilluara në këto 22 stadiume në Londër të mos jenë të ezauruara të gjitha biletat.

Ky numër i madh i stadiumeve në Londër shkon në një linjë edhe me numrin e klubeve të futbollit në këtë qytet. Me një numër banorësh që nuk i kalon 8.5 milionë, Londra ka 22 klube futbolli në të gjitha kategoritë. 7 nga këto ekipe janë në Premier League pjesa tjetër në Premiership dhe një pjesë e vogël në kategoritë më inferiore.

Mitiku Wembley

Stadiumi që shikojmë sot, shumë pak lidhje ka me “Wembley” e vjetër, aty ku Anglia fitoi Kupën e Parë dhe të vetme të Botës. Në vitin 2002 ai u shemb dhe në rrënojat e të vjetërit u ngrit një impiant modern, që për kohën, në vitin 2007, ishte një nga më të shtrenjtit në botë. Ai konsiderohet si një nga stadiumet më mitik në botë, në linjë të barabartë me “Marakana”, në Brazil “Estadio Azteca” në Meksikë apo “Santiago Bernabeu” në Spanjë e “San Siro” në Itali. Ai është më i famshmi dhe më i madhi njëkohësisht në Londër dhe në Angli. “Wembely” ka një kapacitet prej 87,000 ulësesh për një ndeshje futbolli, që ndryshon për aktivitetet e tjera që organizohen aty. Stadiumi përdoret nga kombëtarja e angleze e futbollit. Në të organizohen gjithashtu edhe aktivitete të sporteve të tjera, por edhe koncerte artistike. “Wembley” në javët e fundit është venë në qendër të diskutimit, për shkak se një investitor privat u ofrua që ta blejë atë për shifrën e 750 milionë paundëve. Aktualisht ai është në pronësi të Federatës Angleze të Futbollit dhe do të mbetet për t’u parë nëse Këshilli i kësaj Federate do të miratojë kalimin e “Wembley” në pronësinë e investitorit privat.

Emirates Stadium

Në fakt ky është emri komercial i stadiumit të Arsenalit që deri para se të rindërtohej ishte quajtur Highbury. Impianti i vjetër i topçinjve u mbyll në majin e vitit 2006, për t’ia lënë vendin të riut, që u inaugurua në 22 korrik të po atij viti. Ky është stadiumi i dytë më i madh në Londër, pas Wembley dhe i treti pas “Old Traford” në Angli, me 68 mijë vende. Në 10 vitet e fundit, “Stadiumi Emirates” ka qenë në mesin e impianteve “top 10” për sa i përket kushteve dhe luksit.

Stamford Bridge

Ky është stadiumi i të vetmes skuadër londineze që ka fituar një Champions League, Chelsea. “Stamford Bridge” ka një kapacitet prej 41.631 vende dhe është një stadium tipik anglez. Ai është ngritur në një nga zonat ku është luajtur më herët futboll në Angli dhe në të gjithë botën. Struktura e stadiumit që shikojmë sot është ngritur në hapësirën e një fushe sportive që ishte përdorur përgjatë shekullit 19-të për të luajtur futboll. Por kështu siç ne e shikojmë sot, “Stamford Bridge” do të ekzistojë edhe për shumë pak vite të tjera. Klubi i Chelsea ka shpalosur projektin për të rindërtuar stadiumin, duke e bërë atë një nga më modernët në botë, por njëkohësisht edhe më të shtrenjtit.

London Stadium

Është stadiumi i tretë më i madh në kryeqytetin anglez dhe është shtëpia e skuadrës, West Ham. Impianti është unik, pasi ka të parashikuar edhe pistën atletike. “London Stadium” ka një kapacitet prej 60 mijë vendesh dhe përveç ndeshjeve të futbollit, pret gjithashtu edhe një seri aktivitetesh të tjera artistike dhe sportive. Ai u inaugurua në vitin 2012 dhe ishte stadiumi i Lojërave Olimpike që atë vit u mbajtën në Londër. Për Lojërat Olimpike Londër 2012, ai pati një kapacitet prej 79.990 spektatorësh, por më pas u përshtat për ndeshje futbolli dhe ulëset e tij u reduktuan ndjeshëm.

White Hart Lane

Ky ishte në fakt emri i vjetër i stadiumit të Totenham, që duke filluar nga muaji dhjetor do të ketë një shtëpi të re, që me shumë mundësi do të ketë edhe një emër të ri komercial. Stadiumi i vjetër me emrin “White Hart Lane” kishte një kapacitet prej vetëm 36,240 spektatorë, ndërsa i riu parashikohet që të jetë përafërsisht me dyfishin e vende për tifozët. Impianti i ri është në fazën e fundit të ndërtimit dhe deri më tani ka kushtuar mbi 1 miliardë paund, duke u bërë kështu stadiumi më i shtrenjtë në Angli.

https://www.youtube.com/watch?v=yWWzjcQJaAI

Lista e stadiumeve në Londër dhe klubet që luajnë në to:

Kombëtarja e Anglisë – Wembley Stadium 90,000

Arsenal – Emirates Stadium 60,000

West Ham United – London Stadium 60,000        

Chelsea – Stamford Bridge – 41,837

Tottenham Hotspur – White Hart Lane 36,240

Charlton Athletic – The Valley 27,111

Crystal Palace – Selhurst Park 26,225

Fulham – Craven Cottage 25,700

Reading – Madejski Stadium 24,161

Watford – Vicarage Road 21,500

Millëall  – The Den 19,734

Queens Park Rangers – Loftus Road 18,439

Brentford – Griffin Park 12,736

Southend United – Roots Hall 11,927

Gillingham  – Priestfield Stadium 11,440

Luton Toën – Kenilworth Road 10,226    

Wycombe Wanderers – Adams Park 10,000         

Leyton Orient – The Matchroom Stadium 9,271 

Stevenage – The Lamex Stadium 6,722

Crawley Town – Broadfield Stadium 5,973

Wimbledon – Kingsmeadow 5,339

Barnet – The Hive Stadium 5,176


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë