Dosje

Nga prita në Romanat te kërcënimi dhe kallëzimi në polici. Itinerari i kamionit me kokainë sipas dëshmisë së shoferit

Zbulimi i 119 kg kokainë në kamionin me banane të sekuestruara nga policia në një magazinë në Vaqarr, është ende i paqartë për grupin hetimor.

Lënda narkotike, e cila e ka origjinën nga Ekudori, fillimisht ka ndaluar tranzit në portin kalabrez të Gioia Tauros në Itali.

Prej andej, ka mbërritur në Durrës dhe autoritetet portuale e kanë skanuar si të pastër kamionin, i cili është nisur drejt Vaqarrit ku ndodheshin magazinat e firmës.

Pikërisht rrugës, historia ka marrë një tjetër drejtim, që për autoritetet shqiptare ngre shumë dyshime dhe pikëpyetje. Në dëshminë e tij të plotë, shoferi i kamionit Hasan Salihu ka treguar të gjithë itinerarin që ka përshkruar.

“Në datë 28.12.2021 rreth orës 05:30 kam dalë nga banesa dhe pasi kam çuar nusen në punë në Kombinat kam shkuar me pas në punë në Vaqarr dhe kam marrë trajlerin me targa AA 126 RE dhe karrocën ABR604 dhe kam shkuar në portin e Durrësit ku kam marrë një kontejner me banane, të cilin e solla te magazinat rreth 11:00, ku pasi kam shkarkuar, rreth 2 orë jam nisur përsëri për Durrës për rrugën e dytë do merrja një kontejner me banane përsëri në port. Nga Vaqarri jam nisur për të bërë rrugën e dytë rreth orës 13:30-14:00 dhe kam shkuar në portin e Durrësit”, - e nis dëshminë e tij Salihu.

Ai thotë se rreth orës 17:30 ka marrë rrugën e vjetër për në Ndroq me mjetin e tij dhe pohon se është ndaluar nga katër persona të maskuar, të cilët, pasi e kanë ndaluar, kanë kryer një kontroll për rreth 30 minuta. Salihu pohon se “një prej tyre dukej me dialekt nga Shkodra dhe 3 të tjerët nga jugu”.

Salihu tha se ata ishin prezantuar “si shteti” dhe se ishin “të moshës 35-40 vjeç, të veshur me rroba të zeza dhe të maskuar me kapuç dhe fytyrën e kishin mbuluar me golf të zi”.

Shoferi nuk njoftoi policinë, por përfaqësuesit e firmës, të cilët që prej datës 28 dhjetor, në vend të lajmëronin autoritetet, e futën kamionin në magazinë.

Salihu dëshmon se nuk e ka njoftuar policinë, pasi kishte frikë nga personat që e ndaluan, të cilët i kanë thënë se do ta zhduknin familjarisht nëse do të kallëzonte.

Ai më pas ka treguar se i ka rënë goma e mjetit dhe pasi ka ndaluar për ta ndërruar, është takuar me kolegun e tij Gëzim Kalaja, të cilit thotë se nuk i ka treguar asgjë nga ato që kanë ndodhur, pasi ka qenë i tronditur. Më pas, ai ka telefonuar menaxherin e firmës, Marson Murataj dhe i ka treguar se e kanë kërcënuar.

Ka qenë  pronari i kompanisë, Trifon Murataj ai i cili ka telefonuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano. Ky i fundit ka njoftuar Drejtorin e Policisë Kriminale Tonin Vocaj për të ndjekur çështjen.

Të nesërmen, punonjësit e policisë kanë zbarkuar në magazinat e kompanisë në Vaqarr. Pasi kanë zbuluar lëndën narkotike, punonjësit e  policisë kanë vazhduar me procedurat e tyre të këqyrjes dhe provave.

Gjatë shkarkimit të arkave, punonjësit kanë vërejtur se disa prej tyre ishin më të rënda, ku pas ndërhyrjes panë që poshtë shtatë arkave ishin disa pako drejtkëndëshe me kokainë.

“Gjatë kontrollit të ushtruar arkat e bananeve të këtij kontejneri u konstatuan poshtë bananeve në shtatë arka bananesh, pako në formë drejtkëndëshi të mbështjella me natriband transparent, poshtë të cilit ka qese ngjyrë jeshile, brenda të cilave ka material pluhur të ngurtësuar, me të bardhë të dyshuar si lëndë narkotike kokainë. Pasi u numëruan pakot me lëndë të dyshuar narkotike, rezultuan 100 pako. Pakot u futen nga ana jonë në qese provash”, - thuhet në proces-verbalin e njërit prej oficerëve të policisë.

Në total në kontejner janë gjetur 119 kg kokainë që ishte ndarë në 100 pako. Pavarësisht se denoncimi u bë nga vetë kompania, gjykata ka lënë në burg, shoferët Hasan Salihu dhe Gëzim Kalaja, si dhe administratorin Marson Murataj me akuzën e trafikut të drogës të kryer në bashkëpunim.

Gjatë kontrollit me skaner në port, nuk u zbulua dot sasia prej 119 kg kokainë që u sekuestrua në Vaqarr, gjë që ka sjellë edhe nisjen e hetimeve.

Në ditët në vijim pritet që hetimet për këtë rast të kryhen nga Prokuroria e Posaçme SPAK, ku do të verifikohen veprimet e kontrollorëve dhe zyrtarëve të portit në lidhje me skanimin e kontejnerit.

Megjithatë, për hetuesit, veprimet e shoferit të kamionit, Hasan Salihu shihen të dyshimta dhe ndaj tij tashmë është vendosur masë sigurie ‘arrest në burg’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë