Është ndarë sot nga jeta, në moshën 74-vjeçare, një nga ikonat e gazetarisë sportive në vendin tonë, Vladimir Grillo. Zëri historik në komentin e ndeshjeve të Kombëtares dhe kampionatit shqiptar në Televizionin Publik Shqiptar është i njohur për çdo sportdashës dhe jo vetëm. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk mundi ta fitonte betejën me të.
Vladimir Grillo ka një karrierë të gjatë në gazetarinë sportive, por më së shumti emri i tij është i lidhur me komentin. E ka nisur punën në RTSH në vitin 1970, fillimisht në sektorin e kulturës. Një vit më pas ka kaluar te sporti dhe konkretisht te Rubrika Sportive, emisioni dedikuar sportit në atë kohë.

Ndër momentet që mbeten në memorien e të gjithëve është komenti i Grillos në ndeshjen e Flamurtarit në Beograd ndaj Partizanit, që kulmoi me golin e Sokol Kushtës dhe kualifikimin historik të ekipit vlonjat.
Vladimir Grillo nuk ka komentuar vetëm futboll, por edhe shumë sporte të tjera, madje ka komentuar nga Australia Lojërat Olimpike të vitit 2000. “Sporti është shumë dimensional, ka një magji të vërtet, që disa herë i kalon parashikimet”, – ka thënë Grillo në një intervistë për karrierën e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



