Njerez

Gjermani, bashkëshorti i ministres së Jashtme lë punën për të rritur fëmijët

“Nëse unë pranoj një post qeveritar, është fare e qartë se burri im nuk do të vazhdojë punën e tij”, tha në maj bashkë-drejtuesja e Të Gjelbërve gjermanë, Annalena Baerbock, 41 vjeçe, e cila në fillim të muajit u emërua si ministrja e parë e Jashtme femër në Gjermani.

Premtimi u mbajt: Daniel Holefleisch, 48 vjeç, la punën e tij si menaxher institucional i komunikimit në “Deutsche Post”, posta gjermane.

Të dy, të martuar që nga viti 2007, kanë dy vajza 6 dhe 10 vjeçe dhe është ai që kujdeset për to. “Burri im merr përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe punën rreth shtëpisë. Është ai që merret kryesisht me kopshtin, shkollën, detyrat e shtëpisë dhe ushqimet. Vitet e fundit, ai tashmë ka reduktuar orarin e tij të punës, sepse unë shpesh dal nga shtëpia herët dhe kthehem vonë në mbrëmje”, shpjegoi Baerbock, e cila si kreu i Punëve të Jashtme në Gjermani, do të duhet të kalojë orë të gjata në zyrë dhe jo vetëm.

Për këtë, thotë ministrja, ka vendosur një rregull me vajzat e saj: “Dua që të dinë se ku jam, kur unë nuk ndodhem në shtëpi”, tha ajo. Burri i saj kishte të drejtën e vetos ndaj vendimit të saj për të kandiduar për Të Gjelbërit, “sepse  ndryshon gjithashtu gjithë jetën tonë familjare”, shtoi ajo.

Mediat gjermane i dhanë rëndësi lajmit, duke vënë në dukje me pak hidhërim “se si ndarja tradicionale e roleve është ende standard në shoqërinë gjermane” (sipas gazetës ‘Welt’).

Ndërsa një tjetër ministre e të Gjelbërve, Anne Spiegel, 41 vjeçe, zbuloi së fundmi se burri i saj kujdeset për katër fëmijët e tyre, por për politikat gjermane të gjeneratës së mëparshme normat kanë qenë të ndryshme.

Ish-kancelarja Angela Merkel, 67 vjeçe, nuk ka fëmijë. Dhe presidentja aktuale e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, 63 vjeç, e cila ka 7 fëmijë, tha se duhej të jetonte me “ndërgjegjen si fajtore” për të mos hequr dorë nga karriera e saj: të gjithë prisnin që pas fëmijës së parë ajo do të largohej nga puna.

As burri i saj, Heiko von der Leyen, i cili është drejtor mjekësor i kompanisë farmaceutike amerikane, “Orgenesis”, nuk e bëri këtë: ata ishin në gjendje të llogarisin në “ndihmë” nga jashtë për të rritur fëmijët e tyre. Por pak në Gjermani mund të mbështeten në pasurinë e tyre famëkeqe.

Ishte pikërisht Von der Leyen ajo që në vitin 2007, kur ishte Ministre e Familjes në qeverinë e parë të Merkelit, duke kapërcyer rezistencën në partinë e saj, CDU, miratoi një leje prindërore të ndarë mes nënave dhe baballarëve: 14 muaj në total me dy opsione të rezervuara për baballarët.

Megjithatë, paragjykimet për “Rabenmutter”, “nënat korba” që i lënë fëmijët e tyre në duart e të huajve për të bërë karrierë, ende rëndojnë në Gjermani dhe shumë gra sakrifikojnë punën për të vazhduar me fëmijët.

Një studim i Institutit Ekonomik Gjerman, i publikuar këtë vit, tregon se pothuajse 69% e nënave me fëmijë nën tre vjeç nuk punojnë, por vetëm 27% e tyre e kanë zgjedhur këtë gjë.

Hulumtimet e vitit 2019, tregojnë se dhjetë vjet pas lindjes së fëmijës së saj të parë, një nënë gjermane fiton mesatarisht 61% më pak se një vit para lindjes, sepse shumë reduktojnë orët e punës ose lënë punën e tyre.

Sipas një studimi tjetër, gjithashtu nga viti 2019, dy të tretat e grave gjermane të punësuara me të paktën një fëmijë nën moshën 18 vjeç, punonin me kohë të pjesshme (66%, pothuajse dyfishi i mesatares së BE-së që është 35%), krahasuar me 6% të baballarëve.

Bashkëshorti i Baerbock është ende një përjashtim. Kjo është edhe arsyeja pse shembulli i tij është i rëndësishëm politikisht.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë