Treg

Yield-et e Bonove të Thesarit e mbyllin në rënie këtë vit

Në ankandin e zhvilluar këtë javë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.57%, nga 1.63% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm.

Kërkesa e tregut për këto instrumente ishte sërish e lartë, për një vlerë totale prej 7.2 miliardë lekësh, nga 4.3 miliardë lekë që ishte vlera e bonove të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave.

Ankandi i fundit i dhjetorit konfirmoi edhe njëherë diferencën e konsiderueshme mes kërkesës dhe ofertës,gjë që bëri që yield-et të shkojnë në rënie të mëtejshme. Kërkesa e qeverisë shqiptare për borxh në tregun e brendshëm ka qenë më e kufizuar në tremujorin e fundit të vitit dhe veçanërisht gjatë muajit dhjetor.

Eurobondi i siguruar në tregjet financiare ndërkombëtare ka shërbyer për të mbuluar një pjesë të deficitit buxhetor dhe shpenzimeve të qeverisë gjatë këtij muaji. Kjo është përkthyer në më pak kërkesë për borxh në tregun e brendshëm.

Rritja e inflacionit në muajt e fundit ka shtuar pritshmëritë për një rritje të normave të interesit vitin e ardhshëm.

Një faktor tjetër pritet të jetë rritja e kërkesës së qeverisë për financim.

Huamarrja në tregun e brendshëm financiar do të rritet në tremujorin e parë të vitit 2022 dhe pritet të ketë vlerën e 116.7 miliardë lekëve (përfshirë këtu edhe rifinancimet), në rritje me 71% krahasuar me tremujorin e fundit 2021 dhe me rreth 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Deficiti buxhetor për vitin 2022 parashikohet të ketë vlerën e 100.9 miliardë lekëve, me një rënie prej 16.3% krahasuar me deficitin që parashikon akti i fundit normativ për buxhetin 2021. Megjithatë, huamarrja e re brendshme për të mbuluar këtë deficit do të jetë pranë vlerës së 50 miliardë lekëve, po aq sa në vitin 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë