Enti Rregullator i Energjisë ka shqyrtuar të mërkurën propozimet e OSSH-së dhe OST-së për rishikimin e tarifave të energjisë elektrike për bizneset, në vitin e ardhshëm.
OSSH-ja ka kërkuar që tarifa për bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt që aktualisht është 1.5 lekë të rritet me të paktën 74% duke e çuar atë në 2.61 lekë për çdo kilovat/orë energji të transmetuar.
Përfaqësuesit e OSSH-së shprehën nevojën për investime në një rrjet që mesatarisht është 40 vjeçar dhe ka një shkallë amortizim prej 70%. Ata thanë se ndryshimet klimatike kanë rritur dukshëm kostot për emergjencat të cilat vetëm për vitin 2021 ishin rreth 11 të tilla dhe mesatarisht kostoja për çdo emergjencë është 40 milionë lekë. OSSH ka theksuar se ka probleme financiare të lidhura me procesin e ndarjes nga kompania mëmë ku ka trashëguar kapital negative prej 22.6 miliardë lekë.
“Po kështu edhe tarifat e ulëta të shpërndarjes që nuk kanë ndryshuar që në vitin 2015 janë një faktor me ndikim. Për vitin 2020 kemi realizim vetëm 5.9 miliardë lekë apo 65 për qind e vlerës së investimeve.
Kemi rritje të çmimit në bursë kemi tarifa ekzistuese të ulëta që janë problematike lidhur me qëllimet që kërkohen për t’ju përgjigjur kërkesave. Të gjitha këto kanë bërë që ne të kemi për 2021 një humbje financiare prej 2.2 miliardë lekësh në të cilat është bërë dhe analiza nga departamenti ekonomik. Kemi një pritshmëri që do të thellohet pra 4.2 miliardë lekë” thanë përfaqësues të OSSH.
Po kështu tarifa e shpërndarjes për ata që janë të lidhur në tension 0.4 është kërkuar që të shkojë në 6.63 lekë duke pësuar rritje nëse miratohet nga ana e ERE.
Tarifa mesatare e shpërndarjes që aktualisht është 4.79 lekë për çdo kilovat të transmetuar llogaritet të shkojë në 6.42 lekë me një rritje 34% në raport me ekzistuesen.
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar gjithashtu rishikim të tarifës dhe rishikim i metodologjisë sa i takon mënyrës sesi bëhet përllogaritja e tarifave.
Sipas metodologjisë së propozuar, tarifa e transmetimit do të kishte 3 komponentë, të cilët i takojnë shërbimeve të transmetimit (Transmetim; Operim dhe Treg). Për përdoruesit e rrjetit të transmetimit në funksion të tregut të brendshëm të energjisë, do të mund të aplikoheshin 3 komponentet e tarifës. Për përdoruesit e rrjetit të transmetimit në funksion të tregut të jashtëm të energjisë, do të mund te aplikohej vetëm tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit.
Sipas përllogaritjeve, tarifa mesatare e Furnizuesve do të mund të ishte 1.29 lekë/kwh (0.87 lekë/kwh – Transmetimi; 0.42 lekë/kwh – Operimi; 0.005 lekë/kwh – Tregu), ndërsa për Prodhuesit dhe tregtaret që japin energji jashtë vendit tarifa do të mund të ishte 0.87 lekë/kwh”, thuhet në aplikim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




