Ndryshe nga viti 2020 ku të gjitha institucionet kulturore i kyçën dyert për shkak të pandemisë dhe u rrekën në mënyrat e reja të komunikimit me publikun, në sferën online, viti 2021 u shoqërua me një rihapje të pjesshme të eventeve kulturore. Por jo në mënyrën siç ishim mësuar përpara pandemisë!
Si fillim, drejtuesit panë si mundësi ambientet e hapura për të mos i lënë artdashësit pa “kulturë”.
Ishte Teatri Kombëtar i pari nga institucionet e mëdha që i hapi dyert në natyrë, pranë teatrit veror të liqenit, duke sjellë shfaqjen “Ferma e Kafshëve”, premierë e parë pas mbylljes.
Spektatorët që mbushën shkallarët e Amfiteatrit për të shijuar premierën e parë pas pandemisë të Teatrit Kombëtar alegorinë politike “Ferma e Kafshëve” të Xhorxh Oruell vunë në pah në mënyrë indirekte edhe etjen e publikut për teatër.
Më vonë, Teatri do të rifillonte edhe vëniet skenike, por me rregulloret në fuqi.
Hervin Çuli në një intervistë për Gazetën “Si”, duke pranuar realitetin e ri do të shprehej se edhe vëniet skenike mund të zgjasnin pak, duke vënë në pah pasiguritë që e shoqëronin si administrator për shkak të Covid.
Por megjithatë, ritmi i pandemisë lejoi edhe vënien në skenë të shfaqjeve.
Shfaqja e parë që erdhi në skenat e brendshme të Arturbinës ishte premiera “Edmond”, një shfaqje e përmasave të mëdha që iu prezantua publikut më 15 tetor. Artdashësit ishin sërish pranë artit, publiku u rikthye në Arturbina, por aq sa i lejoi Covid.
Realiteti i ri në Teatër kishte si elemente kryesore maskat në sallë, vendet e lëna bosh, pasi rregullorja lejonte 30% të kapacitetit në ndenjëset teatrore, kufizime të cilat i imponoi pandemia.
Një tjetër institucion që u rihap në realitetin e ri ishte Teatri i Operës dhe Baletit. Dyert e Teatrit të Operës të rikonstruktuar u hapën për artdashësit pas pesë vitesh, por Covid nuk do t’i lejonte të gjithë të merrnin pjesë në mbrëmjen Gala.
Ata që u bënë pjesë e evenimentit duhet të ishin të pajisur me certifikatë vaksinimi ose një test negativ PCR të 48 orëve të fundit.
Një tjetër event kulturor që u rikthye në normalitetin e ri ishte Panairi i Librit.
Pas një viti mungesë nga pandemia, Panairi i Librit “Tirana 2021” u hap në Pallatin e Kongreseve në formën klasike të tij, me prani fizike të autorëve dhe lexuesve. Ndryshe nga nëntori i vitit të shkuar, që mund të quhej ndryshe si nëntori “online” i librit dhe motoja ishte “klikoni, klikoni” për të parë titujt e rinj, lexuesi i këtij viti pati mundësi të shohë nga afër e të shfletojë librat që dëshironte të fuste në çantë, duke marrë edhe kënaqësinë e një autografi nga autorët, por as ky event nuk e anashkaloi dot realitetin pandemik.
Normaliteti i ri ndaloi vizitat kolektive si vitet e shkuara me grupe të mëdha nxënësish, orari ishte më i reduktuar dhe u vendos edhe një orë pushimi për t’u ajrosur ambientet.
Një tjetër masë ishte ngushtimi i stendave gati 25% më pak, qoftë në hollin kryesor, qoftë në ballkonadë, dhe korridoret u lanë më të lira e më të bollshme për të lëvizur njerëzit.
Edhe Festivali i Këngës në edicionin e tij të ’60, ngjarja më e madhe e muzikës në Shqipëri, është i diktuar nga pandemia. Ata që dëshirojnë të ndjekin nga Pallati i Kongreseve festivalin duhet të jenë të pajisur me pasaportë vaksinimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



