Më shumë se 180 mijë infeksione Covid janë regjistruar në Francë në 24 orët e fundit, një kulm i ri që nga fillimi i pandemisë. Autoritetet shëndetësore raportojnë se vendi kishte tejkaluar 100,000 raste për herë të parë në ditën e Krishtlindjes. Vdekjet ishin 242 në 24 orët e fundit, shtrimet në spital 17,405 (të hënën ishin 16,921), 3,416 ata në terapi intensive, kundrejt 3,333 një ditë më parë.
“Omicron” dominon gjithashtu në Holandë dhe Zvicër, por e gjithë Europa është e përfshirë nga varianti i ri, ku pas Danimarkës dhe Portugalisë, është bërë dominues edhe në Holandë dhe Zvicër.
Danimarka ka shkallën më të lartë të infeksioneve në botë. Skandinavia është një nga rajonet evropiane që përballet me një rritje të shpejtë të infeksioneve. Në fakt, Danimarka regjistron shkallën më të lartë të të infektuarve në botë: sipas të dhënave të orëve të fundit, 1612 nga 100 mijë banorë janë pozitivë me Covid.
Edhe Finlanda, pas një mbledhjeje urgjente të qeverisë, ka vendosur për t'u mbrojtur në mënyrën më drastike: duke ndaluar, me disa përjashtime, hyrjen në vend të të gjithë të huajve të pavaksinuar mbi moshën 16 vjeç. Nga ana tjetër, jorezidentët e vaksinuar, do të duhet t'i nënshtrohen tamponit 48 orë para hyrjes së tyre.
Në Britaninë e Madhe, ka pasur 129,471 pozitivë, me 18 të vdekur, por të dhënat janë të paplota për shkak të periudhës së pushimeve. Dhe shumica dërrmuese janë të përqendruara në Angli, ku pozitivët janë mbi 117 mijë, një kulm i ri absolut i kombit më të populluar në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjermania, ku është në fuqi i ashtuquajturi izolim i të pavaksinuarve, për momentin duket se do të qëndrojë, ndërsa Belgjika regjistron një rënie të moderuar, por të qëndrueshme të infeksioneve dhe, falë një vendimi të Këshillit të Shtetit, që anuloi dekretin mbretëror të 22 dhjetorit, kinematë dhe teatrot do të rihapen në orët e ardhshme.
Covid 19 po kthehet me arrogancë atje ku filloi gjithçka, në Kinë. Në 24 orët e fundit, qyteti i Xìan, me 13 milionë banorët e tij në izolim për gjashtë ditë, ka regjistruar 209 raste të reja, niveli më i lartë ditor që nga marsi 2020. Të dhënat zyrtare janë më pak dramatike se ato evropiane, por Pekini tashmë ka zgjedhur të shtrijë kufizimet shumë të rrepta në zonat afër për të frenuar shpërthimin më të madh të Covid-it pas atij të Ëuhan. Kështu, qindra mijëra njerëz të tjerë përfunduan në izolim në Yanan, i cili është rreth 300 kilometra larg Xìan.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi 500,000 raste të reja me Covid janë regjistruar në 24 orët e fundit, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Vetëm në qytetin e Nju Jorkut, norma mesatare e pozitivitetit gjatë shtatë ditëve të fundit është gati 20%.
Autoritetet amerikane, ndërkohë kanë ulur izolimin për pacientët asimptomatikë me Covid pozitivë, nga 10 në 5 ditë. Nuk ka karantinë për të vaksinuarit me dozë të tretë në rast kontaktesh pozitive. Por nuk mungojnë kritikat nga ata që besojnë se Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i është dorëzuar presioneve ekonomike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.