Bledar Selmanaj, i dyshuar si autor i vrasjes së Xhuljano Bullarit verën e këtij viti, ka tentuar të arratiset nga Spitali i burgut të Tiranës, ku ndodhej për mjekim, pasi kishte tentuar të vetëvritej në qelitë e burgut të Peqinit pak kohë më parë.
Plani i tij ka dështuar, pasi është parandaluar nga gardianët e burgut, duke bërë neutralizimin e tij. Hekurat e dritares së një prej ambienteve të spitalit të burgut në QSUT, u konstatuan të prera në dy skajet e tyre mesditën e të mërkurës, ndërsa Kontrolli i Brendshëm i Burgjeve, ka nisur një hetim për të zbuluar autorin dhe kur ka nisur prerja.
Xhuliano Bullari u gjet i vrarë më 20 gusht 2021 në Babicë të Vlorës. Ndërkohë që Bledar Selmanaj u arrestua si autor i dyshuar i krimit, por ai nuk ka pranuar autorësinë, duke pretenduar se nuk e kishte qëlluar shokun e tij me armë.
Një nga pistat ku po hetohet, lidhet me faktin se Bullari mund të jetë vrarë nga Selmanaj për paratë e një sasie rreth 100 kg lëndë narkotike kanabis.
25-vjeçari me grupin e tij, dyshohet se i ka blerë 39-vjeçarit Selmanaj sasinë e drogës me lekë false dhe prokuroria thotë se viktima kishte presion të vazhdueshëm për paratë.
Sipas dosjes hetimore, Selmanaj ka pranuar se udhëtoi me Xhuljano Bullarin nga Tirana në Vlorë, por ndaloi në banesën e tij.
Xhuljano Bullari dhe autori i dyshuar i vrasjes ishin njohur më parë në ambientet e një burgu për dënime respektive që kishin marrë nga drejtësia shqiptare.
Ata kanë ndarë qelinë së bashku, ku Bullari vuante një dënim prej 3 vite e 4 muaj për akuzën e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Ndërsa Bledar Selmanaj ndodhej në burg për një dënim për vjedhje të përsëritur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



