Deri në fund të vitit, nuk do të ketë vendimmarrje të re sa u takon masave kufizuese për parandalimin dhe mbrojtje nga Covid-19.
Burime konfidenciale i thanë Gazetës “Si” se nuk ka asnjë njoftim deri tani të planifikuar në agjendë nga Komiteti ku mendohet që me gjasë Shqipëria të mbetet me tē njëjtat masa, orar të kufizuar lëvizjeje 23:00-06:00.
Burimet thanë se megjithë propozimet për të reduktuar orarin e lëvizjes gjatë mbrëmjes, të paktën për festat kur pritet shtim i qarkullimit në bare e restorante, sërish nuk do të ketë asnjë vendimmarrje.
Sipas burimeve, gjithçka mund të ndodhë papritur, por pak gjasa ka që festat të festohen me rregulla të reja.
Duket se alarmi për mbërritjen e Omicron në janar do të verë në lëvizje ekspertët që të ndryshojnë masat kufizuese.
Sipas ekspertëve të shëndetit publik, masat pritet të ndryshojnë pasi të identifikohet Omicron që me gjasë do tē vijë pas festave.
Prej ditës së hënë, kur duhen dhe pak ditë të mbërrijë Viti i Ri, në pikat kufitare tokësore e detare me Italinē e Greqinë, është shtuar fluksi i emigrantëve shqiptarë që kthehen në atdhe të festojnë me familjet e tyre.
Megjithëse Greqia ka hequr kufizimet me Shqipërinë, ajo ka shtuar masat në kufi, ku kërkon testin PCR për udhëtarët ndërkombëtarë që mbërrijnë në Greqi. Këto masa hynë në fuqi më 20 dhjetor në orën 6:00 dhe do të zgjasin deri më 10 janar.
Sipas vendimit, për të hyrë në Greqi, udhëtarët duhet të kenë një certifikatë ku ata kanë rezultuar negativ për SARS-CoV-2, ose një test PCR të kryer në 72 orët e fundit ose një test të shpejtë të kryer në 24 orët e fundit.
Ndërsa në Shqipëri masat në fuqi për kontrollin e situatës së epidemisë në vend mbeten si vijon:
Kufizimi i qarkullimit dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 23:00-06:00.
Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë njërin nga këto tre kushte:
Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.