Rezistenca ndaj antibiotikëve po kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin publik. Rreth 35 mijë persona humbin jetën çdo vit në Bashkimin Evropian si pasojë e saj, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej.
Antibiotikët kanë shpëtuar miliona jetë, duke bërë të trajtueshme infeksione që dikur ishin vdekjeprurëse. Por përdorimi i tepërt dhe i papërshtatshëm i tyre ka favorizuar zhvillimin e baktereve rezistente, të njohura ndryshe si superbaktere.
Rezistenca antimikrobike (AMR) ndodh kur bakteret nuk reagojnë më ndaj barnave që përdoren për t’i luftuar. Për pacientët, kjo nënkupton trajtime më të vështira, përdorimin e disa antibiotikëve njëkohësisht dhe, në rastet më të rënda, humbjen e jetës.
Sipas profesoreshës Fiona Walsh, nga Universiteti Maynooth në Irlandë, një studim i publikuar në revistën The Lancet parashikon se rezistenca bakteriale mund të shkaktojë drejtpërdrejt 39 milionë vdekje në mbarë botën gjatë periudhës 2025-2050.
Ndër faktorët kryesorë që nxisin këtë fenomen janë përdorimi i tepërt i antibiotikëve te njerëzit dhe kafshët, higjiena e dobët dhe ndotja e mjedisit. Për këtë arsye, studiuesit po promovojnë qasjen “One Health”, e cila lidh shëndetin e njerëzve me atë të kafshëve dhe mjedisit.
Si mund të parandalohet përhapja e superbaktereve?
Ekspertët theksojnë se vaksinimi është një nga mënyrat më efektive për të ulur infeksionet dhe nevojën për antibiotikë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi më i mirë i vaksinave mund të reduktojë konsumin global të antibiotikëve me 2.5 miliardë doza në vit.
Gjithashtu, ruajtja e baktereve të dobishme në organizëm është e rëndësishme, pasi ato ndihmojnë në mbrojtjen nga infeksionet. Përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve dhe dezinfektantëve mund të dëmtojë këtë ekuilibër natyror.
Sipas Walsh, zgjidhja nuk qëndron vetëm te zhvillimi i antibiotikëve të rinj. Nevojiten gjithashtu vaksina më efektive, përmirësimi i trajtimit të ujërave të zeza dhe kontroll më i mirë i shëndetit të kafshëve.
Mesazhi i ekspertëve është i qartë: antibiotikët duhet të përdoren vetëm kur janë të nevojshëm dhe sipas këshillës së mjekut, në mënyrë që të ruhet efektiviteti i tyre për brezat e ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje