Shumica dërrmuese e vajzave të martuara në moshë të hershme në Shqipëri kanë vetëm arsimin 9-vjeçar. Ato e kanë shumë të vështirë të gjejnë një punë gjatë jetës së tyre, edhe sepse bëhen me fëmijë përpara se të kenë arritur një moshë madhore. Të dhënat e fundit, nga një sondazh i thjeshtë i “Pink Movement” konfirmojnë atë situatë që në vendin tonë pranohet thuajse nga të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare. Por pse ndodh kjo, në një kohë që megjithëse Shqipëria ka premtuar t’u japë fund martesave të fëmijëve deri në vitin 2030?
Sociologja Marsida Simo shpjegon për Gazetasi.al se të dhënat e INSTAT konfirmojnë se numri i vajzave të martuara para moshës 18 vjeç është ulur ndjeshëm. Ndërsa për djemtë nuk ka martesa para kësaj moshe. Por pavarësisht të dhënave – sipas saj – kërkohet një studim cilësor duke prekur terrenin për të kuptuar nëse ky fenomen ende ekziston përtej shifrave të deklaruara.
“Këtë mund ta kuptojmë përmes fenomenit të braktisjes së shkollës nga vajzat në moshën e pubertetit e cila vjen si pasojë e zakoneve patriarkale kryesisht në zona rurale”, shton sociologia.

Sipas saj, vajzat mbyllen në shtëpi duke qëndruar brenda rolit gjinor që i është përcaktuar dhe vijimi mbetet martesa. “Ato martesa që mund të lidhen para moshës 18 vjeç mbahen të pa deklaruara deri sa arrihet mosha e duhur që njeh ligji”, shton sociologia.
Në anketën e “Pink Movement” me 1551 ndjekëse të kësaj organizate, ka rezultuar se rreth 70% e vajzave kanë qenë të martuara në moshë të vogël dhe kanë vetëm arsimin 9-vjeçar. Të dhënat e organizatës kanë treguar gjithashtu se pjesa më e madhe e tyre (70%) e kanë shumë të vështirë të gjejnë një punë gjatë jetës. Gjithashtu rreth 64% prej tyre janë bërë me fëmijë para se të kishin vetë një moshë madhore.
Sociologia Simo shpjegon se ende politikat publike nuk përmbajnë veprime konkrete për t’iu përgjigjur martesave të fëmijëve.
Cilat janë pasojat e vajzave që martohen në moshë të hershme?
Një ndër deficitet kryesore të tyre sipas sociologes është se nuk kanë njohuri të caktuara për të zotëruar një zanat/profesion dhe si rrjedhim nuk mund të jenë të pavarura.
Simo shton se gjithashtu nuk kanë pjekurinë e duhur psiko-emocionale për të marrë vendime të shëndetshme dhe mund të pësojnë trauma nga detyrimi i martesës së rregulluar.
“Mund të lindin fëmijë kur janë ende dhe vetë fëmijë pa arritur ende procesin e zhvillimit personal. Këto vajza me shumë gjasa do trashëgojë të njëjtën mentalitet te fëmijët e saj. Në raste abuzimesh dhe dhune, vajzat e martuara në moshë të hershme e kanë më të vështirë të shkëputen nga kjo martesë për shkak të mentalitetit dhe mungesës së pavarësisë ekonomike. Sipas Observatorit për të drejtat e fëmijëve, martesat e vajzave në moshë të hershme nuk i ndihmon ato të shkëputen nga cikli i varfërisë”, shton Simo.

Në raportin e UNICEF të vitit 2021 theksohet se nga burime të tjera (jo ato zyrtare) raportohen nivele më të larta të martesave të hershme për Shqipërinë dhe çështja kërkon vëmendje shtesë, hulumtime më të thella dhe analiza të mëtejshme.
“Martesat e fëmijëve në Shqipëri është e lidhur fort me normat kufizuese gjinore, me varfërinë dhe përjashtimin shoqëror. Për sa i përket ndikimeve, kërkimet dhe të dhënat cilësore tregojnë se braktisja e shkollës, amësia e hershme dhe mungesa e autonomisë së grave dhe fuqia vendimmarrëse në familje dhe në publik po ushqejnë martesën e fëmijëve në Shqipëri”, thuhet më tej në raport.
Shqipëria ka një kornizë të fortë legjislative për të trajtuar martesën e fëmijëve, megjithatë, hulumtime të kryera më herët nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve kanë gjetur se ligjet nuk zbatohen në mënyrë efektive apo të vazhdueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



