Art dhe Kulture

Studioja izraelite, fituese e projektit të Muzeut Hebraik në Vlorë

Studioja “Kimmel Eshkolot Architects” nga Tel-Avivi, Izrael, u shpall fituese e projektit arkitektonik të Muzeut Hebraik në Vlorë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bën me dije se pas shqyrtimit të propozimeve të ardhura në konkursin për projektin arkitektonik të Muzeut Hebraik në Vlorë, juria e përbërë nga personalitete të arkitekturës dhe muzeologjisë shpalli projektin dhe studion fituese.

“Bëhet fjalë për studion izraelite ‘Kimmel Eshkolot Architects’ nga Tel Aviv, e cila kishte rrokur më së miri filozofinë se çfarë përfaqëson ky muze; mënyrën e ndërthurjes së rrëfimit me arkitekturën karakteristike të banesës; veshjen e funksionit të ri; harmoninë e brendshme dhe të jashtme të objektit, ku do të vendoset muzeu, me qendrën historike të qytetit të Vlorës”, shprehet ministrja e Kulturës në rrjetet sociale. Më tej, Margariti vijon me falënderime për jurisë profesioniste dhe mirënjohje studiove, që siç shprehet ajo pranuan ftesën për të marrë pjesë në këtë garë dhe paraqitën vizionin e tyre.

“Por mbi të gjitha falenderime për partnerin tonë, Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim The_AADF, si dhe gjithë stafit që qëndron pas kësaj nisme. Sapo kemi nisur një rrugë të gjatë për realizimin e një muzeu që do t’u flasë brezave të rinj për dimensionin human të shqiptarëve, që e kanë rrëfyer në kohë lufte e paqeje, duke iu gjendur pranë çdo njeriu në rrezik, pavarësisht kombësive dhe kulturave, që u përkasin”, pohon Margariti. Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë.

Në këtë garë morën pjesë: Kimmel Eshkolot Architects, Tel-Aviv/Izrael; Studioja Terragni Architetti, Como/Itali; Wandel Lorch Gotze Wach GmbH; Frankfurt/Gjermani; Winkler + Ruck Architekten, Klagenfurt/Austri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë