Libra

Isuf Kalo: 10 librat që sugjeroj për t’u lexuar

“Nuk gjendet dot ndonjë lidhje midis dashurisë dhe ndonjë drame të madhe botërore, qoftë edhe rajonale, pra nuk gjendet një lidhje e arsyeshme. Megjithatë, ajo ekziston. Edhe unë kam dyshuar te pyetja që më keni bërë: “A ekziston vërtet, apo është një tekë, një vizion, një vizitë që u bëhet njerëzve të caktuar?”, kështu shprehet Ismail Kadare në një rrëfim të gjatë me Alda Bardhylin, në librin “Kohë për rrëfim”.

Libri “Kohë për rrëfim”, është njëri nga 10 librat që profesor Isuf Kalo sugjeron për t’u lexuar. Profesor Kalo është i njohur për lidhjen e tij me librin. Para dy vitesh, ai botoi librin “Blloku” ku solli kujtimet e tij personale si mjeku i Enver Hoxhës, duke rrëfyer raportet personale dhe një histori tjetër të ‘Bllokut’ ndryshe, parë përmes raporteve njerëzore të njerëzve që jetonin aty, por dhe një gjykim i kohës përmes penës së një njohësi të mirë të saj.

Sot në Gazetasi.al profesor Isuf Kalo vjen me një përzgjedhje librash që i sugjeron për t’u shfletuar.

1- “Kohë për rrëfim” nga Ismail Kadare

Në këtë libër shkrimtari Ismail Kadare rrëfehet me gazetaren Alda Bardhyli për marrëdhënien e tij komplekse dhe të rrezikshme me klanin Hoxha dhe sidomos me diktatorin Enver Hoxha. Ai diskuton edhe mbi përpjekjet për t’u arratisur, mbi periudhën si deputet dhe shpresat e tij pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1990.

2-Çështje të marrëzisë” nga Ismail Kadare

Romani “Çështje të marrëzisë” është rikthim në pikën fillestare, rikthim në pikën e nisjes së aventurës kadareane, rikthim në fëmijëri, aty ku ka nisur aventurën për gjetjen e një çelësi për shpjegimin e botës.

3-Rrota e mundimit” nga Artan Fuga

Është një libër që rrëmon në një shoqëri të komunikimit dhe të mediave dhe vë në pah që njerëzit ende nuk jetojnë në një shoqëri të së vërtetës.

4- “Shkuma e Ditëve” nga Boris Vian

“Shkuma e ditëve”, (shqipëruar nga Edmond Tupja) është një nga krijimet më të përfolura të autorit francez, Boris Vian.  Në këtë libër, autori Boris Vian projekton një botë interesante, absurde, të çuditshme, ku ngjizet një dashuri prekëse që fillon me gëzim e përfundon me tragjedi.

5- “Spiritus” nga Ismail Kadare

Romani “Spiritus” zbulon se edhe në fazën e ngrirjes më të madhe të tij, miti nuk ka reshtur së rrjedhuri, nëntokësor dhe i fshehtë, por i paasgjësueshëm, madje as me teknikën policeske moderne. I acartë dhe i zymtë, vendi i shqiponjave i Ismail Kadaresë ngjan më shumë se kurrë me viset e Makbethit dhe të baladave gjermanike.

6- “Le K” nga Dino Buzzati

Historia e K i jep edhe titullin librit. Ky libër përmban të gjitha temat e njohura për Dino Buzzati, autorin e “Shkretëtirës së Tartarëve”, dhe përcakton në mënyrë të përsosur një art ku mrekullia dhe humori përzihen me vëzhgimin e kthjellët me një mjeshtëri.

7- “If God Was a Banker” nga Ravi Subramanian

Në “If God Was a Banker”, historia sillet rreth dy të diplomuarve në menaxhim në garën për sukses. Sundeep është ambicioz dhe egoist, gjë që e bën atë të arrijë qëllimet e tij me mjete të paskrupullta. Swami është saktësisht e kundërta, pasi ai i përmbahet moralit dhe etikës së tij për të siguruar sukses në karrierën e tij.

8- “La Familia Grande” nga Camille  Kouchner

Në librin “La Familia Grande” nga Camille Kouchner zbulohet se si incesti është gjithmonë i pranishëm në nivelet më të larta të shoqërisë franceze, madje edhe në mesin e elitës më magjepsëse, më të fuqishme, bohemiane, intelektuale pariziane të krahut të majtë, të njohur si “la gauche caviar” (socialistët e shampanjës).

9- “Vivre Dans Le Feu” nga Marina Tsvetaeva

“Vivre dans le feu” është vepra më e arrirë e poetes ruse, Marina Tsvetaeva. Është një biografi në kuptimin e mirëfilltë – po aq ambicioze sa poezitë apo proza ​​e saj, madje edhe më prekëse se ato.

10- “Më thuaj kush jam” nga Julia Navaro

Ky roman i përkthyer nga Arta Marku rrëfen aventurën e të jetuarit intensivisht një shekull, nga Spanja republikane deri në rënien e Murit të Berlinit, duke kaluar përmes Luftës së Dytë Botërore dhe viteve të errëta të Luftës së Ftohtë.

Madridi, Barcelona, Parisi, Moska, Berlini, Londra, Varshava, Buenos Aires dhe Meksika janë vetëm disa nga vendet ku zhvillohet skenari i kësaj vepre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë