Ngjarje

Si i mbronte Lefter Koka inceneratorët

Lefter Koka e ka mbrojtur firmën e hedhur që u dha lejen tre inceneratorëve në Shqipëri në daljet publike në dy raste.

Ai i ka cilësuar akuzat dhe paditë e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim si sulme politike dhe ka thënë se strategjia e djegies së mbetjeve është e bazuar në ligj dhe e këshilluar me specialistë dhe kolegë ndërkombëtarë, por pa përmendur emrat e tyre.

Në një dalje televizive në tetor të vitit të kaluar, pas padisë në SPAK nga PD, Koka thotë vendimin e marrë për incineratorët e ka bazuar edhe në situatën emergjente, sipas tij, të krijuar me mbetjet në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier.

“Qeveria ka një ligj për menaxhimin e mbetjeve dhe djegia është një nga elementët e ligjit. Ishim në një situatë ku qytete si Durrësi, Elbasani, Fieri, Tirana ishin plot me mbetje. Vetëm fusha e mbetjeve kishte kosto deri në 400 mijë euro në vit. Një fushë mbetjesh zgjat deri në 10 vjet. Imagjino çdo 10 vjet një fushë të re për landfillin. Metoda që po ndjek gjithë bota është incinerimi. Në 10 vjet janë 600-700 mijë tonë mbetje”, deklaronte ai.

Ish-ministri i Mjedisit mbronte incinerimin edhe në lidhje me koston e tij.

“Mendoj që kam bërë më të mirën për këtë vend, por ka nga ata që të baltosin. Punët të gjitha me para bëhen, ministër prandaj je për të zbatuar ligjin. Por, nëse do të humbasësh energji duke paguar portale që të flasin”, theksonte ai.

Projekti i incineratorëve, sipas Kokës ishte i trashëguar që nga qeverisja e Partisë Demokratike. Ai është shprehur se dëshironte që të parin të ndërtonte në Durrës, por oferta e pakërkuar e parë mbërriti për ndërtimin e incineratorit të Elbasanit.

“Unë e gjeta nga Mediu dhe e çova tek Rama me idenë për t’ia bërë Durrësit këtë nder. Kishte një vit oferta e pakërkuar. Jo se erdhi për një ditë. Kishim diskutime për Durrësin 30 mln euro”, është shprehur ai.

Por, pretendimet e Lefter Kokës se incinerimi është një praktikë që po e ndjek e gjithë bota bie ndesh me rekomandimet e Komisionit Europian, që në raportet e përvitshme i kërkon Shqipërisë që të vetëpërmbahet nga kjo strategji dhe të përqëndrohet të riciklimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë