Ekskluzive

Si fitoi miliona Lefter Koka përmes kompanisë së vëllait. Të gjithë blenë sheqer, njëri prej tyre i pagoi qiranë ish-ministrit

Gazeta Si - Largimi nga politika i ish-ministrit Lefter Koka, ishte sinjali i parë se ndërkohë Prokuroria e Posaçme nuk po flinte në dosjen tri herë të kallëzuar, por po punonte në heshtje dhe me bindje.

Mes shumë shkresave, firmave dhe dëshmive, ndaj ish-ministrit Koka konfirmohet një masë e dytë sigurie për një incenerator tjetër, që prokurorët e posaçëm e shikojnë si aferë dhe përzierje mes korrupsionit dhe influencës zyrtare.

Megjithatë, Gazetasi.al, do të përshkruajë të dhënat se cilat janë dyshimet konkrete që e përfshijnë Kokën si përftues të milionave.

“Nga aktet e administruara, del se shoqëria ‘Integrated Techonoly West Treatment Fier’, ka përfituar pagesa nga ministria e Mjedisit  për periudhën nëntor 2016, deri në mars 2017, në shumën prej 878.231.928 lekë, si dhe ka përfituar pagesa nga ministria e Infrastrukturës, nga janari 2018, deri më janar 2022, në shumë prej 3.011.080.896 lekë. Pra, në total ka përfituar 3.889.312.824  lekë”, - deklaron SPAK.

Por më pas, kuptohet nga dosja që iu vu në dispozicion Gazetasi.al, se kjo shoqëri, i ka paguar në kontratat e shitjes miliona lekë për punimet, kompanive “Tis”, “Pivot 04” dhe “JPV”.

Por nga hetimi, SPAK shton për Gazetasi.al, se “Pivot 04”, del të jetë krijuar në vitin  2016 me administrator Arbër Denizi, i cili e ka pezulluar aktivitetin dhe rifilluar në vitin 2020.

Kjo kompani, ka kryer sipas faturave të shumta, shitje tek “Integrated” dhe nga ana tjetër rezulton edhe një shoqëri e quajtur “Sucralba” me seli në Durrës, që  administrohet nga Ilir Koka. Ky i fundit, sipas dosjes që i është treguar Gazetasi.al, është vëllai i ish-ministrit.

Pikërisht kompania “Pivot 04”, sipas kërkimeve të SPAK, ka bërë blerje tek kompania e vëllait të ministrit të Mjedisit, nga janari 2017, deri më prill të të njëjtit vit. Shuma e blerjeve, deklarohet 171.562.050 lekë.

“Më vitin 2017, ‘Pivot 04’ ka blerë në 67 raste sheqer, në vitin 2018 në katër raste sërish sheqer dhe në 36 raste, oriz në vlerën 68.463.496 lekë. Totali i blerjeve për një vit, shkon 240.025.546 lek, - pohon SPAK për Gazetasi.al. - Në akte rezulton, se ‘Sucralva’ e ka pezulluar aktivitetin e saj”.

Po ashtu, “në momentin e sekuestrimit të faturave tatitmore të shitjes, del se ky dokumentacion iu sekuestrua shtetasit Arbi Koka në Rrashbull, që është e njëjtë me adresën e kantinës së pijeve, ku shtetasi Lefter Koka zotëron 88.19 përqind të aksioneve”, thuhet në shkresën që lidh ish-ministrin me kompanitë që qarkulluan paratë e dyshuara.

Por teksa “Pivot” është vënë nën hetim, nuk ka munguar as marrja në pyetje mes tyre edhe e Klemet Oketas,  emri i të cilit rezulton i shënuar si i punësuar. Ai shprehet se nuk ka punuar ndonjëherë në këtë kompani dhe se nuk e njeh shtetasin Arbër Denizi.

Skandaloze rezulton edhe marrja në pyetje e administratorit Denizi, i cili thotë para SPAK se nuk njeh asnjë të punësuar, se makineritë  nuk i ka pasur në pronësi, por se i ka marrë nga banorët e zonës.

“I bleva produktet tek kompania e vëllait të Lefter Kokës për t’i shitur, por për disa blerje kërkova shkatërrimin e produktit, pasi ishte prishur dhe nuk mund të tregtohej”, - justifikohet administratori. Veç kësaj kompanie, një tjetër e quajtur “Sili” krijohet në vitin 2017, me administrator Silvester Driza.

Edhe kjo kompani kryen blerje disa milionëshe në kompaninë e Ilir Kokës, konkretisht sheqer, me vlerën 7.435.000 lekë; të dhënat bankare tregojnë se kompanisë “Sucraalba”, iu transferuan në llogari 42 mijë euro dhe më pas edhe 164 mijë euro të tjera nga shoqëria “ITS”.

Edhe punëtorët e kësaj shoqërie, nuk shpjegojnë dot makineritë, njohjen me njëri-tjetrin dhe nuk kanë asnjë aktivitet tjetër përveç shitjes së sheqerit.

“Nga aktet e administruara, - deklaron ekskluzivisht SPAK për Gazetasi.al, - del se babai i Silvester Drizës në të njëjtën periudhë, ishte i punësuar si shofer autobui në shoqërinë e vëllait të ministrit, më pas punoi në hekurudhë dhe më pas u kthye ortak me të birin”.

Sikur të mos mjaftojë kjo, aktet tregojnë se, ”Silvester Driza, së bashku me Agim Seferin, që ishte njohje personale e ish-ministrit, nga llogaria e tyre kanë kryer pagesën e qirasë së Lefter Kokës”, -  mbyll SPAK mes shumë gjetjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë