Tragjedia “Coriolanus” e Uilliam Shekspir, një nga veprat më të mëdha të luftës për pushtet, do të vijë premierë në Teatrin Kombëtar më 17 dhjetor në një tentativë për t’u aktualizuar me realitetin shqiptar.
“Coriolanus” e cila bazohet në jetën e udhëheqësit legjendar romak do të sjellë për publikun Romën sa antike, komplekse e moderne. Por dekorin në të cilin ndodh tragjedia e Caius Marcius Coriolanus si destabiliteti i vazhdueshëm politik, shpërthimet e dhunës, rrënimin e pushtetit popullor, manipulimin e turmave, kurthet politike në Parlament, ekstremizmin demokratik dhe pushtetin autokratik, Altin Basha me konceptin e tij regjisorial e sjell si formë refleksioni edhe për demokracinë në Shqipëri.
Basha, duke e cilësuar një projekt masiv zbulon për Gazetasi.al se u zgjodh kjo vepër, pasi ka në thelb natyrën e demokracisë dhe në njëfarë mënyre vjen e ndërthurur me aktualitetin politik në vendin tonë.
Sipas Bashës, sot më shumë se kurrë në Shqipëri ekziston dilema; a jemi vend demokratik apo jo?
“Koriolanus është një nga veprat më të veçanta të Shekspirit. Aty autori ngre disa pyetje mbi natyrën e demokracisë, parlamentarizmin dhe psikologjinë e turmave. Këto ditë më së shumti ne kemi dilemat tona mbi demokracinë dhe rezultatin e saj social. A funksionon ajo? A është Shqipëria demokratike apo autokratike?”, shprehet regjisori Altin Basha për Gazetasi.al.
Basha shton se “aktualiteti i shfaqjes vjen nëpërmjet përcjelljes qartë dhe pastër të shqetësimeve të autorit”.
Duke qenë se tragjedia “Coriolanus” bazohet në jetën e një udhëheqësi, e ka të pashmangshme edhe paralelizmin me udhëheqjen në vendin tonë.
Sipas regjisorit Basha, arti nuk është vetëm kënaqësi e argëtim, por edhe refleksion.
“Shoqëria përmes teatrit nuk siguron vetëm kënaqësi dhe argëtim. Teatri herë shërben si një pasqyrë për të parë vetveten, por edhe si mjet vetëdijesimi që provokon refleksion”, shprehet regjisori për Gazetasi.al, ndërsa shton se “jam i bindjes se teatri ka forcën ta ndryshojë shoqërinë nëse ky art skuadre merr vlerësimin e duhur”.

Shfaqja “Coriolanus” do të vijë nën interpretimin e aktorëve me peshë në skenën teatrore si: Gazmend Gjoka, Helidon Fino, Viktor Xhusti, Luiza Xhuvani, Hervin Çuli, Genci Fuga etj.
Detaji që Basha i mëshon fort është teksti provokues.
Sipas regjisorit, kjo shfaqje teatri sjell në një mënyrë apo në një tjetër diçka të re për publikun, aq më tepër që bëhet fjalë për një dramaturg të madh si Shekspiri.
“Koriolani është një shfaqje e bërë me pasion dhe në frymë skuadre. Grupi është kompakt dhe shfaqja plotësohet edhe më shumë nga kontributet e kompozitorit Trimor Dhomi, skenografes dhe kostumografes Iliriana Basha, koreografit Robert Nuha, dhe gjithë stafit të palodhur të Teatrit Kombëtar dhe artistëve të rinj të Universitetit të Arteve”, përfundon Basha për Gazetasi.al.
“Coriolanus” do të vijë premierë për publikun më 17 dhjetor dhe do të vijojë përgjatë gjithë muajit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







