Kur shefi zviceran i Markës së orave IWC (International Watch Company) Christoph Grainger-Herr, nuk ishte në gjendje të fluturonte në një ekspozitë tregtare globale në Kinë për shkak të kufizimeve të Covid-19, ai vendosi të bëhej pjesë e ekspozitës si një hologram 3D në madhësi reale. Duke u shfaqur në rezolucion 4K, ai ishte në gjendje të fliste, të shihte dhe dëgjonte njerëzit që po ndiqnin fizikisht ngjarjen.
“Ne e dërguam atë nga zyra e tij në Schaffhausen, Zvicër, në ngjarjen në Shangai”, thotë David Nussbaum, shefi i firmës amerikane të hologrameve Portl.

“Ai bëri fjalimin e tij, bisedoi me drejtuesit e tjerë dhe madje zbuloi një orë të re, të gjitha në kohë reale”.
Me pandeminë e koronavirusit që i ka ndalur shumë udhëtimet globale që nga marsi 2020, ka një interes në rritje për përdorimin e hologrameve, projeksionet e dritës 3D të një personi, si një alternativë më e gjallë, më përfshirëse dhe më ‘shqisore’.
Portl në Los-Angeles është një nga firmat më të njohura të teknologjisë dhe Nussbaum thotë se kabinat e tyre kanë përparuar.
Kabinat janë 2.5 metra të larta, kuti të kompjuterizuara me xham. Brenda kabinave shfaqet një hologram i një personi në madhësi reale.
Kabinat kanë altoparlantë të integruar, në mënyrë që të dëgjohet ‘zëri’ i hologramit. Ato përfshijnë gjithashtu kamera dhe mikrofona në mënyrë që përdoruesi i hologramit të mund të shohë dhe dëgjojë njerëzit përpara projeksionit të tij ose të saj.
Aty ku personi është në të vërtetë fizikisht në këmbë dhe kjo mund të jetë në anën tjetër të botës, atij ose asaj i duhet vetëm një aparat fotografik, një sfond i thjeshtë dhe një grup tjetër altoparlantësh dhe mikrofonash.
Sistemi i softuerit i kontrolluar nga aplikacioni i Portl më pas e lidh personin nëpërmjet internetit kudo ku ai do.
“Nuk ka pothuajse asnjë vonesë”, thotë Nussbaum. “Dhe po të mos ishte fleta e qelqit përpara hologramit, do të mendonit se personi në të vërtetë ishte duke qëndruar atje. Në fakt, nëse nuk ka dritë në xham në mënyrë që të mos e shihni atë duke u reflektuar, atëherë duket sikur personi është në të vërtetë atje”.

Sistemi Portl synon klientët e biznesit dhe aktualisht po përdoret edhe nga firma të tjera si Netflix dhe T-Mobile.
Portalet që janë gjithë lidhja që bëhen në vendin ku është personi me vendin ku do të jetë, kushtojnë nga 60,000 dollarë secila, kështu që ato janë sigurisht të shtrenjta, megjithëse kompania thotë se ato mund të merren me qira për shumë më pak.
“Në pak vite, kjo do të bëhet një mënyrë e rregullt e komunikimit ndërmjet zyrave”, shton Nussbaum.
Firma të tjera holograme janë më të përqendruara në tregun e konsumit, siç është Ikin në San Diego. Vitin e ardhshëm do të lançojë një pajisje që ju e lidhni në celularin tuaj dhe ajo do të projektojë në ajër një hologram transparent 3D të personit me të cilin keni një telefonatë video.
Gordon Wetzstein, profesor i inxhinierisë elektrike dhe shkencave kompjuterike në Universitetin e Stanfordit, thotë se hologramet janë një “mënyrë më efektive” për të komunikuar sesa video-konferencat.
“Me holograme mund të krijoni kontakt me sy. Mund të lexoni shenja delikate si kush po shikon kë”, thotë ai.
Megjithatë, ai paralajmëron se mund të shfaqen probleme në të ardhmen nëse këto imazhe holografike bëhen aq reale sa që dallimi i tyre nga një person aktual do të bëhet i pamundur.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



