Menaxhim

Banka e Shqipërisë lehtëson kreditimin për kompanitë energjitike

Banka e Shqipërisë ka miratuar vendimin që bankave gjatë vitit 2021, t’i lejohet ponderimi me rrezik zero pët kreditë në valutë. Por me kushtin e garantimit nga qeveria shqiptare.

BSH ka miratuar dhe disa masa të tjera të posaçme, për të lehtësuar kreditimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nga bankat tregtare.

Muajin e kaluar, Këshilli Mbikëqyrës miratoi një vendim qarkullues për ndryshime të përkohshme në rregulloren për mjaftueshmërinë e kapitalit. 

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, është marrë specifikisht për të lehtësuar disbursimin e dy kredive me vlerë totale 30 milionë euro, të marra nga OSHEE pranë dy bankave tregtare në vend. Në fillim të këtij muaji, Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e garancisë sovrane për një hua në vlerën e 20 milionë euro nga Banka OTP Albania dhe për një hua në vlerën 10 milionë euro nga Banka Amerikane e Investimeve. 

Çmimet në rritje të energjisë elektrike dhe nevoja për import i vendosi kompanitë e kësaj fushe në vështirësi. Qeveria vendosi në dispozicion të kompanive të sektorit një fond prej 10 miliardë lekësh, para që kanë shkuar kryesisht për të mbuluar nevojat për blerje të energjisë elektrike. Veç fondeve të alokuara në mënyrë direkte, kriza e çmimeve të energjisë ka shtruar nevojën edhe për të përdorur mekanizmin e garancive sepse kompanitë energjetike në vend nuk kanë aftësinë për të siguruar hua nga sektori bankar pa ofrimin e garancisë sovrane nga qeveria shqiptare. 

Kjo ka qenë një veprimtari e shfrytëzuar më së shumti nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Në fund të tremujorit të tertë 2021, vlera e garancive të dhëna nga buxheti në favor të KESH për garantimin e huave bankare kishte vlerën e 4.1 miliardë lekëve.

Në të njëjtin vendim të muajit nëntor, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë iu lejonte bankave tregtare të ponderojnë me peshë rreziku 0% edhe titujt e borxhit në monedhë të huaj të emetuara nga qeveria shqiptare gjatë vitit 2021. Ky vendim u mor posaçërisht për të lehtësuar pjesëmarrjen e bankave në procesin e Eurobondit që qeveria shqiptare emetoi muajin e kaluar në Bursën e Londrës.

Këto lehtësi të përkohshme kanë mundësuar që sektori bankar të investojë në instrumente të huasë për sektorin publik. Për bankat kjo ka qenë një mundësi e volitshme për të investuar me kthime më të leverdishme dhe me rrezik relativisht të ulët një pjesë të likuiditeteve të bollshme të lira që zotëron në monedhën europiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë