Treg

Teknologjia do të shkatërrojë tregun e punës. Europa lindore do të preket më vonë

Deri në 500.000 vende pune që lidhen me industrinë e furnizimit me pjesë për automjete mund të humbasin për shkak të kalimit nga motorët me djegie të brendshme në lëvizshmërinë elektrike, sipas një studimi nga Shoqata e Furnizuesve Europianë të Automobilave (CLEPA).

Sipas skenarit të parashikuar nga CLEPA, vitet 2030-35, nga revolucioni teknologjik do të preken rreth 70% e punonjësve në Europë. Por kjo do të ndodhë më së shumti në vendet e Perëndimit që janë dhe më të zhvilluara, ndërsa vendet e Europës Qendrore dhe asaj Lindore, do të jenë ende të mbështetura në aktivItetet me djegie hidrokarburesh.

Humbjet më të mëdha mund të regjistrohen në Gjermani (121.000), Itali (74.000), Spanjë (72.000) dhe Rumani (56.000). Për të shmangur zvogëlimin e fuqisë punëtore, prodhuesit po u bëjnë thirrje institucioneve të ndërhyjnë.

“Studimi nxjerr në pah rreziqet e përfshira në një strategji të bazuar vetëm në energjinë elektrike të rikarikueshme” tha Sigrid de Vries, Sekretarja e Përgjithshme e CLEPA.

Sipas të dhënave nga CLEPA, në tokën europiane në industrinë e automjeteve punësohen rreth 1.7 milionë njerëz.

Në të njëjtën kohë, ka 1.21 milionë të punësuar në sektorë që ndër të tjera lidhen me zhvillimin dhe ndërtimin e baterive dhe motorëve elektrikë, ku shumë njerëz fitojnë bukën e gojës edhe si punonjës të kompanive të ndihmës.

Burimi: CLEPA/ Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë