Ai nuk u përngjan promovuesve të tjerë të bukurive natyrore shqiptare. As mjeti i tij i transportit. As hartat që nuk i mba kurrë me vete se shtigjet e veriut i njeh në centimetra.
Nuk kërkon para për të të dërguar në destinacionet më të virgjëra të bjeshkëve dibrane. Për ushqimin a fjetjen në çadra kampingu të cilat ngahera i siguron vetë.
Kërkon të marrë mbrapsht veç kënaqësinë që sheh në sytë e turistëve kur vizitojnë ato anë e të promovojë nëntë malet e Dibrës.
“Shtëpia e shqiptarit, e zotit dhe e mikut”, është fjalia me anë të së cilës Pajtim Vraniçi, ambasadori i bukurive dibrane rroket t’u tregojë ambasadorëve të botës ngrohtësinë e mikpritjes.
Është fjalëpak se do që më shumë mbi të gjitha, t’i flasin veprat.
Pajtimi ka më shumë se 10 vite që merret me promovimin e atyre viseve, në të gjitha mënyrat e format, duke përfshirë shumëllojshmëri sportesh dhe aty në fshatrat më të thellë që mungesa e infrastrukturës i ka lënë ndër vite në harresë.
“Nëse turistët, gazetarët apo ambasadorët që vizitojnë qytetet e tjera në fillim kontaktojnë me kryetarin e bashkisë për sigurimin e të gjitha mjeteve të nevojshme, këtu nuk ndodh kështu.
Ata vijnë dhe më drejtohen menjëherë mua sepse e dinë që unë do i shoqëroj dhe do i mikpres ashtu siç duhet, në mënyrën më të mirë që di.
Nga të gjithë guidat që janë me licencë , shumë ambasadorë të shteteve të huaja më kanë zgjedhur pikërisht mua për t’i shoqëruar në atraksione të ndryshme ”,-rrëfen modestisht për Gazetasi.al Pajtim Vraniçi tek ndërmend sëfundmi dhe vizitën e ambasadores suedeze dhe amerikane të cilat kishin shprehur mbresa të shumta.
Zanafilla e gjithë kësaj ka ardhur nga pasioni i tij për udhëtimet. Dashuria për malet e ushqeu më tej.
Janë të rralla ditët që Pajtimin e gjen në qytet. Ai është gjithnjë e më shumë në eksplorim të shtigjeve sëbashku me djem të tjerë të apasionuar. E sheh në Lurë, duke ngjitur tatëpjetën e Korabit apo duke bërë kamping në bjeshkët e Gramës. Sfidon të gjitha kushtet e motit.
Makina e tij e cila njihet si “makina skelet” është kthyer në identitet më vete. Kushdo që e sheh e di që ajo përfaqëson simbolin e udhëtimeve në vise rurale.
Historia që qëndron pas saj është po aq e bukur sa dashuria e tij për të udhëtuar e për të lënë qytetin.
“Kur skuadra e Korabit doli në superiore, të gjithë futbollistët nga gëzimi hipën mbi makinë dhe e shtrembëruan atë. Ishte eufori. Më tej e preva me fleks. Hoqa xhamat, dyert dhe duke parë në internet vendosa vetëm ca tuba anash.
Të gjithë ata që e kanë parë u është dukur interesante dhe e veçantë. Tani është bërë pjesë e pandashme e jona”,rrëfen më tej ai për Gazetasi.al.
Kur e pyet se përse ka zgjedhur ta bëjë të gjithën këtë pa kërkuar para në këmbim, ai thotë se i detyrohet aq vendit të tij.
“Mua më vjen keq që nuk kam mundësi më të shumta për t’i bërë më të zhvilluar nga se janë këto anë.Është e trishtë kur sheh vende të tjera që nuk kanë aq bukuri natyrore por kanë menaxhim të mirë. Miqtë dhe të huaj duhen pritur, kështu na ka mësuar tradita.
Edhe kur nuk kam patur mundësi e kam gjetur atë në forma të ndryshme dhe çdokujt që ka ardhur i kam bërë respektin me aq sa kam mundur. Që ata të vijnë sërish, duhet të dish si t’i presësh”, ngulmon mandej ai.
Nëse merr udhën dhe e telefonon për t’i thënë që do të vizitosh një nga atraksionet e veriut, Pajtimi nis menjëherë përgatitjet.
E sheh tek merr gjithë mjetet e nevojshme në makinë. Mbledh një grup të tjerë të rinjsh për t’i dhënë më shumë energji pozitive udhëtimit e për ta bërë atë të paharrueshëm për secilin prej tyre. I ka shëtitur shumë ato vise. I di dhe pengesat e mundshme me të cilat mund të haset rrugës.
“Miqtë duan miq. Udhëtimi në grup ka tjetër atmosferë. Sigurohem që energjia e grupit të jetë gjithmonë pozitive dhe e ngrohtë.”
Pajtimi është i pari që ka sjellë aty sportin ekstrem të Paragliding(hedhje me parashtuë). Prej shtatë vitesh tashmë ai ka mësuar më shumë se mbi 20 të rinj që duan ta ushtrojnë këtë lloj sporti.
“Bjeshkët e Gramës janë të dytat më të bukurat në Ballkan dhe parashutizmi këtu nuk përngjan me asnjë vend tjetër. Unë e kam mësuar këtë sport nga një ndër trajnerët më të njohur në Kosovë, Artan Verhani.
Por këtu ka munguar marketingu dhe infrastruktura e dobët është faktor kyç që e ka frenuar zhvillimin e mëtejshëm të këtyre anëve. Mirëpo nëpërmjet sporteve të tilla me anë të të cilëve jam përpjekur të nxjerr në pah pjesët më të bukura të vendit tim, po shoh që është rritur ndjeshëm kërkesa dhe vazhdimisht më kontaktojnë turistë, profesionistë të medias që duan të vijnë t’i vizitojnë, të bëjnë kronikat dhe filmimet e tyre.
Tani që është bërë dhe Rruga e Arbrit,është koha që të hapen dyert e zhvillimit për këtë vend”,vijon më tej ai për Gazetasi.al.
Por Pajtimi nuk është iniciatori i vetëm këtij sporti. Që në krye të herës ai është marrë me rafting, asokohe kur pak veta në Shqipëri dinin si ta ushtronin.
Lumi Drin i fal të gjithë hapësirën e nevojshme për ta ushtruar atë. Ndërsa dimri që mban i ftohtë dhe Mali i Korabit janë gërshetimi perfekt për ski.
“Skiatorë profesionistë nga Maqedonia e Veriut më kanë kontaktuar duke më thënë që sporti i skive në Korab është eksperiencë unike dhe që nëse do ishim në një garë për nga bukuria e vendit, Maqedonia nuk do ishte askund krahasuar me ne.
Do vijoj me aq sa mundem të shfrytëzoj potencialet e këtij vendi dhe t’i ndaj bukuritë e tij me sa më shumë njerëz.”
Idetë që i përshkojnë mendjen se si të promovojë më tej turizmin janë jo të pakta.
Mjafton një telefonatë dhe Pajtimi do jetë i gatshëm që t’u shoqërojë në shtigjet veriore të cilat nga mënyra si ai i përshkruan ngjajnë me një prozë të bukur, punuar me kujdes e të kursyer në fjalë.
Me Pajtimin mund të bësh ski, xhiro me kanoe dhe hedhje me parashutë në pllajat e luginat e virgjëra që rrihen nga era e veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)













