Shkencë

Shkencëtarët japonezë krijojnë maska me shkëlqim për të zbuluar koronavirusin

Një ekip shkencëtarësh në një universitet në Japoni ka krijuar maska që shkëlqejnë kur ekspozohen ndaj dritës ultravjollcë nëse përmbajnë gjurmë të koronavirusit, duke përdorur antitrupa të nxjerrë nga vezët e strucit.

Ekipi në Universitetin e Kiotos, i kryesuar nga presidenti i tij, Yasuhiro Tsukamoto, shpreson se maskat do t’u ofrojnë përdoruesve një mënyrë të thjeshtë për të testuar nëse janë të infektuar apo jo me Covid-19.

Me vazhdimin e testimit për t’i vënë ato në përdorim praktik, ekipi synon të marrë miratimin e qeverisë për të shitur maskat ndoshta vitin e ardhshëm.

Strucët janë të aftë të prodhojnë disa lloje të ndryshme të antitrupave, ose proteinave që neutralizojnë entitetet e huaja në trup.

Në shkurt të vitit të kaluar, ekipi injektoi një formë joaktive dhe jo kërcënuese të koronavirusit te strucat femra, duke nxjerrë me sukses një sasi të madhe antitrupash nga vezët që ato hodhën.

Ekipi më pas zhvilloi një filtër të veçantë që vendoset brenda maskës. Filtri mund të hiqet dhe të spërkatet me një ngjyrë fluoreshente që përmban antitrupat e koronavirusit nga vezët e strucit. Nëse virusi është i pranishëm, filtri do të shkëlqejë.

Kur ekipi kreu eksperimente deri në 10 ditë me 32 persona të infektuar me koronavirus, ata zbuluan se të gjitha maskat që mbanin shkëlqenin nën dritën ultravjollcë, e cila u zbeh me kalimin e kohës dhe ngarkesa e tyre virale u ul.

Ekipi i Tsukamoto-s më pas synon të zgjerojë eksperimentin me 150 pjesëmarrës. Presidenti i universitetit zbuloi se ai vetë ishte pozitiv me COVID-19 pasi kishte vendosur një nga maskat eksperimentale dhe e pa se ajo shkëlqente kur u kontrollua.

“Në të ardhmen, çdo njeri do mund të zbulojë nëse është pozitiv me Covid-19 me anë të maskës”, tha Tsukamoto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë