Menaxhim

AKEP shtyn sërish hyrjen në fuqi të rregullores për mbrojtjen e konsumatorit

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka shtyrë përsëri afatin e hyrjes në fuqi të rregullores ” Për mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike” duke e kaluar në datën 1 shkurt 2022.

Është hera e dytë që ndërrohet data në dy muaj, kur fillimisht ishte caktuar 4 tetori 2021, më pas 15 dhjetori 2021 dhe tani shkurti i vitit të ardhshëm.

Kjo rregullore synon përmirësimin e marrëdhënieve me konsumatorët dhe operatorët dhe mbrojtje të tyre. Rregullorja përfshin disa detaje të reja siç janë janë detyrimet më specifike për termat dhe kushtet, të cilat duhet të përfshihen dhe të jenë pjesë përbërëse në kontratat e pajtimit, rregulla të qarta për aksesin në shërbimet e emergjencës dhe përcjelljen e informacionit të vendndodhjes së pajtimtarit për këto thirrje;  saktësime për kohëzgjatjen, rinovimin dhe përfundimin e kontratave; rregulla më të qarta për trajtimin e ankesave nga operatorët dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pajtimtarë – sipërmarrës; kushtet për transparencën dhe publikimin e informacionit nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, si edhe masa për garantimin e aksesit të barabartë për personat me aftësi të kufizuar.

Për herë të parë rregullorja u shqyrtua në 2019-n ku AKEP ishte më i ashpër ndaj operatorëve duke i kërkuar më tepër transparencë për çështjet me rëndësi, ndër to dhe shpejtësia e internetit. Autoriteti i kërkonte kompanive që të vendosin shpejtësinë e internetit të paktën sa 70% e shpejtësisë së reklamuar. Detyrim që u vendos atëherë për shkak të abuzimeve, por nuk është më pjesë e  dokumentit.

AKEP ka vendosur vetëm një dispozitë me natyrë më të përgjithshme, ku parashikohet se, “si pjesë e informacionit për karakteristikat kryesore të secilit shërbim të ofruar, sipërmarrësit përfshijnë dhe nivelet minimale të cilësisë së shërbimit të ofruar, si koha për lidhje fillestare, koha për riparimin e defekteve dhe, kur është e përshtatshme, edhe parametra të tjerë të cilësisë së garantuar për treguesit e cilësisë së shërbimit, si dhe mënyrat e kompensimit dhe të rimbursimit të pajtimtarit, në rastet kur shërbimi i kontraktuar nuk plotëson nivelin e cilësisë së parashikuar në kontratë.”

Nga projektrregullorja janë hequr edhe dispozitat që parashikonin krijimin e Bazës Kombëtare të Dhënave të Numrave të Telefonit dhe një numëratori të përgjithshëm telefonik, që do të përmbante numrat e telefonit të pajtimtarëve që do të zgjidhnin të përfshiheshin në të.

Rregullorja u miratua përfundimisht në mars të këtij viti, por herë pas herë operatorët e telekomunikacionit kanë pasur paqartësi apo ankesa për përmbajtjen e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë