Gjatë një seance dëgjimore në Senat, ku u shqyrtua ndikimi i rrjeteve sociale në shëndetin mendor të njerëzve, Adam Mosseri, CEO i Instagram ka thënë se Instragram po punon për të evidentuar efektet negative që ka aplikacioni dhe për ta bërë atë sa më të sigurt, sidomos për adoleshentët por duhet ndihma e ligjvënësve për këtë.
Ai bëri thirrje për krijimin e rregulloreve në mbarë industrinë për të kontrolluar se si mund të funksionojnë platformat e mediave sociale.
Mosseri gjithashtu hodhi poshtë fjalët se platforma nuk po bën mjaftueshëm për të mbrojtur përdoruesit e saj më të rinj.
Përdoruesit duhet të jenë të paktën 13 vjeç për të pasur një llogari në Instagram.
“Unë e kuptoj se shumë njerëz kanë rezerva për kompaninë tonë por duhet ta kuptojnë të gjithë se edhe ne kemi të njëjtin qëllim: që ta bëjmë Instagram të sigurt”, tha ai duke shtuar se duke bashkëpunuar me gjithë industrinë e medias sociale dhe politikëbërësit, do të rriten standardet në internet “për t’i shërbyer dhe mbrojtur më mirë të rinjtë”.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një organ mbikëqyrës që do ti vendoste standarde të gjithë industrisë për aplikacionet, duke përfshirë verifikimin e moshës dhe kontrollet prindërore.
“Ky organ duhet të marrë të dhëna nga shoqëria civile, prindërit dhe rregullatorët. Standardet duhet të jenë të larta dhe mbrojtjet universale”, tha Mosseri.
“Realiteti është se mbajtja e njerëzve të sigurt nuk ka të bëjë vetëm me një kompani. Një sondazh i i muajit të kaluar tregoi se më shumë adoleshentë po përdorin TikTok dhe YouTube, jo Instagramin”.
Senatori demokrat Richard Blumenthal, i cili kryeson komitetin e Senatit për mbrojtjen e konsumatorit, tha në përgjigje se Amerika është “në mes të një krize të shëndetit mendor të adoleshentëve”.
Ai i tha Senatit se “ka mbaruar koha ku vetë kompanitë kontrollojnë çdo gjë”.
“Disa nga kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë thënë ‘na beso’. Kjo duket se është ajo që Instagram po thotë por besimi është zhdukur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



